Muzeu Etnografik i Durrësit ka hapur dyert për vizitorët, duke rikthyer në funksion një prej hapësirave më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore të qytetit. I restauruar pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019, muzeu u vizitua menjëherë edhe nga turistët e parë, të cilët shprehën interes për historinë dhe arkitekturën e veçantë të godinës.

Rikonstruksioni, i realizuar në kuadër të projektit EU4Culture me financim të Bashkimit Evropian, ka rikthyer jo vetëm sigurinë strukturore të objektit, por edhe funksionin e tij si qendër kulture dhe destinacion turistik. Sipas drejtores së Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Alketa Tragaj, ndërhyrja përfaqëson një rijetëzim të plotë të muzeut, i cili tashmë ofron kushte bashkëkohore për vizitorët, duke ruajtur njëkohësisht vlerat autentike të trashëgimisë.
Vëmendje e veçantë i është dhënë mjediseve që lidhen me figurën e aktorit me famë botërore Aleksandër Moisiu, i cili kaloi këtu një pjesë të fëmijërisë.

Një nga dhomat e muzeut shërben edhe si hapësirë ekspozimi për 125 piktura italiane, të dhuruara në homazh të artistit evropian Ibrahim Kodra, për të cilin, sipas Tragës, po mendohet të çelet dhe një muze.

Në katin e dytë ekspozohen kostume popullore të Shqipërisë së Mesme dhe objekte që pasqyrojnë traditat, doket e zakonet, dhe jetën e përditshme të banoreve më të hershëm të Durrësit, ndërsa kati i parë do të përdoret edhe për aktivitete artistike e kulturore, duke afruar më shumë komunitetin dhe të rinjtë me këtë objekt muzeal.

Rihapja e muzeut pritet ta rikthejë atë në hartën turistike të Durrësit si një pikë ku historia, arti dhe identiteti kulturor takohen me vizitorët vendas dhe të huaj.
©️zërionline


