DURRËS – Gjiri i Durrësit po kthehet në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turizmin e “shtëpive lëvizëse”, ku bregdeti i Karpenit ka mirëpritur këtë javë dhjetëra turistë, kryesisht nga Gjermania, Austria dhe Franca. Ata kanë zgjedhur qetësinë e Adriatikut për të shijuar një përvojë ndryshe, duke i dhënë gjallëri turizmit që nuk njeh stinë.

“Bregdet i mrekullueshëm dhe njerëz dashamirës”
Për shumë vizitorë të huaj, Shqipëria është një destinacion i paplanifikuar që doli të ishte surpriza e pushimeve të tyre.
“Kam dy javë këtu dhe më pëlqen shumë. Është vend i bukur. Pas kësaj, plani im është të eksploroj veriun dhe Alpet shqiptare.”, tregon Hans që ka dy javë në bregdetin tonë.
Një tjetër gjerman shprehet: “Njerëzit këtu janë jashtëzakonisht dashamirës. Jeta në Shqipëri të shijon. Plazhi është i mrekullueshëm, sidomos për ne që udhëtojmë me fëmijë të vegjël.”
“Ideja jonë ishte Greqia, por ndaluam këtu dhe nuk u penduam. Plazhi është fantastik dhe ndihemi shumë mirë.”, thotë një gjermane tjetër teksa tenton të disiplinojë qenin e saj që po ngacmohet nga një qen tjetër.
Sfida e pastërtisë: “Bukuria nuk mjafton pa kujdes”
Ndonëse mikpritja dhe natyra i kanë lënë mbresa të forta, turistët me kamperë janë vëzhgues të hollë të detajeve. Për ta, luksi nuk është prioritet, por mjedisi i pastër mbetet sfida që Shqipëria duhet të fitojë.
I njëjti turist që vlerëson bukurinë e zonës, ngre alarmin për mbeturinat që ende njollosin vijën bregdetare.
“Unë udhëtoj shumë nëpër Europë dhe këtu nuk është shumë pastër në krahasim me vendet skandinave. Shihni atje tej, ka ende mbeturina që prishin imazhin e këtij vendi”, shprehet ai, duke treguar me gisht pikat kritike në plazh.
Mesazhi për Turizmin e Qëndrueshëm
Për këta udhëtarë, Adriatiku mbetet një strehë e qetë dhe unike. Teksa bëhen gati për të lëvizur në zona të tjera të vendit, ata lënë pas një mesazh të qartë për autoritetet dhe komunitetin: Turizmi i vërtetë kërkon një mjedis të pastër dhe vëmendje ndaj natyrës, jo thjesht investime në luks.
L.B.
©️zërionline


