Tirana po përgatitet për një nga eventet më të mëdha muzikore që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. Reperi amerikan Kanye West do të performojë më 11 korrik 2026 në kryeqytet, në një koncert që pritet të mbledhë deri në 60 mijë spektatorë nga Shqipëria dhe Europa.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka publikuar video nga kantieri, ndërsa shkruan:
“Ka nisur puna në Kashar për stadiumin provizor që do të mirëpresë super spektaklin e Kanye West në Shqipëri.”
Sipas raportimeve ndërkombëtare dhe faqeve promovuese të eventit, në zonën e Kasharit ka nisur puna për ndërtimin e një stadiumi provizor të quajtur “Eagle Stadium”, një strukturë e përkohshme që po ngrihet posaçërisht për koncertin madhështor të artistit amerikan.
Koncerti qe konfirmuar më parë edhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa organizatorët e kanë cilësuar si një ngjarje historike për turizmin dhe industrinë e eventeve në Shqipëri.
Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje janë çmimet e biletave. Deri tani nuk ka një listë finale zyrtare të publikuar nga organizatorët, megjithatë në rrjetet sociale dhe platformat e shitjes së biletave kanë dalë kategoritë e para orientuese.
Sipas postimeve promocionale dhe platformave online, biletat standarde pritet të nisin nga rreth 99 deri në 120 euro, ndërsa kategoritë premium dhe VIP mund të arrijnë nga 300 euro deri në mbi 1000 euro, në varësi të pozicionit pranë skenës.
Nga informacionet që qarkullojnë online, disa nga kategoritë e publikuara janë:
• Standing standard: nga 120 euro
• Golden Circle: rreth 313 euro
• Premium Seat: rreth 399 euro
• VIP/Hot Seat: mbi 300 euro dhe më shumë në platformat e rishitjes
Ndërkohë, faqet e shitjes së biletave raportojnë interes shumë të lartë, me çmime që ndryshojnë çdo ditë sipas kërkesës së fansave.
Eventi po konsiderohet si koncerti më i madh i organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe pritet të sjellë mijëra turistë të huaj në Tiranë gjatë verës.
©ZëriOnline


