Në vijim të ngjarjes së rëndë në Lozhan të Korçës, ku efektivi i forcave “Shqiponja” Enea Mekolli humbi jetën dhe kolegu i tij Edison Adri mbeti i plagosur, mësohen detaje të reja mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve dhe dinamikën e ngjarjes.
Efektivi i plagosur, 36-vjeçari Edison Adri, u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë në gjendje të intubuar. Mjekët bëjnë me dije se ai paraqet plagë të rënda në qafë dhe në kokë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, duke u trajtuar në sallën e operacionit. Sipas tyre, bëhet fjalë për një traumë jetëkërcënuese dhe është ende herët për një prognozë të qartë.

Ndërkohë, autori i dyshuar i ngjarjes, Violand Braçellari, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit, është transportuar fillimisht në spitalin e Korçës dhe më pas drejt Traumës. Ai ka marrë tre plagë me armë zjarri, një në bark dhe dy në dorë, ndërsa ndodhet në gjendje stabël.
Burime nga vendngjarja dhe personat që e kanë shoqëruar drejt spitalit bëjnë me dije se gjatë transportimit, i dyshuari nuk ka shfaqur asnjë shenjë dhimbjeje apo reagimi emocional, duke qëndruar i heshtur dhe pa rënkime, pavarësisht plagëve të marra. Po ashtu, nuk është vërejtur asnjë shenjë pendese nga ana e tij.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se hetimet për ngjarjen kanë nisur menjëherë nga Prokuroria e Korçës dhe strukturat e Standardeve Profesionale. Sipas tij, një grup i posaçëm është nisur drejt Korçës për të zbardhur plotësisht dinamikën e operacionit dhe për të verifikuar nëse janë zbatuar protokollet e ndërhyrjes.
“Hetimet kanë filluar si nga Prokuroria e Korçës, ashtu edhe nga strukturat e Standardeve Profesionale. Edhe unë do të nisem drejt Korçës për të ndjekur nga afër dinamikën e ngjarjes”, u shpreh Hita.
Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, ku forcat e rendit kishin rënë në gjurmët e të shumëkërkuarit.
Braçellari ishte fshehur në një stan në zonën e Lozhanit, ku forcat e policisë kishin rënë në gjurmët e tij. Gjatë ndërhyrjes, pasi nuk iu është bindur thirrjeve për t’u dorëzuar, ai ka hapur zjarr ndaj efektivëve, duke shkaktuar vrasjen e një polici dhe plagosjen e tjetrit.
“Humbëm një koleg të mrekullueshëm, një baba, një familjar të përkushtuar dhe Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj punonjësin e saj në shërbim të qytetarëve.”, tha Hita.
Policia është kundërpërgjigjur me zjarr, duke e neutralizuar dhe plagosur autorin, i cili më pas është vënë në pranga.
Autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
©ZëriOnline


