250 vjet SHBA, Artisti shqiptar Helidon Xhixha përuron skulpturën monumentale “Renaissance of Towers” në Miami

Date:

Share post:

Artisti shqiptar me famë ndërkombëtare, Helidon Xhixha, ka shënuar një tjetër sukses në skenën ndërkombëtare të artit me inaugurimin e veprës monumentale “Renaissance of Towers” (Rilindja e Kullave) në hyrjen kryesore të Miami International Airport.

E vlerësuar për 400 mijë dollarë, vepra është dhuruar për aeroportin ndërkombëtar të Miamit nga artisti shqiptar Helidon Xhixha, në bashkëpunim me partnerët e projektit, në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Në fundjavë u organizua ceremonia, pikërisht në kuadër të aktiviteteve festive për përkujtimin e 250-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila mblodhi personalitete të rëndësishme, mes tyre drejtorin ekzekutiv të aeroportit, Ralph Cutié, kryetaren e Qarkut Miami-Dade, Daniella Levine Cava, si dhe sipërmarrësit Martin dhe Carlos Melo dhe Humberto Ortiz, të cilët kontribuan në realizimin e këtij projekti.

E punuar në çelik inoks të lustruar, skulptura monumentale, rreth 6 metra e lartë dhe me peshë afro tre tonë, është një vepër që ndërthur artin bashkëkohor me kujtesën historike.

E krijuar fillimisht në vitin 2007, ajo është frymëzuar nga Kullat Binjake të Nju Jorkut dhe mban në sipërfaqen e saj reflektimet e flamurit amerikan, duke u konceptuar si një homazh për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, por njëkohësisht si simbol i qëndresës, unitetit dhe rilindjes.

E dhuruar për qytetin e Miamit nga vetë artisti dhe e vendosur në hyrjen kryesore të aeroportit, përgjatë një aksi rrugor ku kalojnë çdo ditë dhjetëra mijëra automjete, skulptura pritet të shndërrohet në një pikë të re referimi artistike për miliona udhëtarë që mbërrijnë në një nga aeroportet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara.

Helidon Xhixha, i lindur në Durrës, është një nga artistët shqiptarë më të njohur në botë. Veprat e tij monumentale prej çeliku të pasqyruar janë ekspozuar në qytete dhe institucione prestigjioze si Venecia, Firence, Berlini, Milano, Dubai, Monako, Londra dhe Miami, duke e bërë atë një prej emrave më të spikatur të skulpturës bashkëkohore.

Inagurimi i “Renaissance of Towers” përfaqëson një moment të rëndësishëm për festimet e 250-vjetorit të SHBA-së, si dhe një tjetër dëshmi të kontributit të një artisti shqiptar në krijimin e veprave publike me ndikim ndërkombëtar, që bashkojnë artin, historinë dhe simbolikën në hapësira të rëndësishme publike.

V. Q.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Incidenti gjatë ekskursionit në Mal të Zi, lirohen 4 gjimnazistët e Durrësit

Katër gjimnazistë të shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës janë lënë të lirë nga policia malazeze, pas...

Urdhri i dëbimit/ Shqiptari nga burgu federal në Brooklyn: “Ndoshta nuk do ta hap më atë derë”

Aleksandër Nilaj, shqiptari i ndaluar nga ICE, pas 20 vitesh në SHBA, ka publikuar ditët e fundit një...

Aksident në rrugën e Voskopojës, plagoset rëndë 41-vjeçari

Një 41-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi është përplasur nga një automjet në rrugën e Voskopojës. Raportohet se,...

Turqi/Arrestohet drejtuesi i Bursës së Stambollit, për transaksione të dyshimta

Një zhvillim i ri ka tronditur sektorin financiar në Turqi. Korkmaz Enes Ergun, drejtori i përgjithshëm i Bursës...