Mbyllëm kapitullin me BE, po a i zgjidhëm problemet e arsimit?

Date:

Share post:

Vali Qyrfyçi

Mbyllja e një kapitulli në negociatat me Bashkimin Evropian është, pa dyshim, një hap pozitiv. Por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: A do të thotë kjo se arsimi ynë i ka arritur standardet që meritojnë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë që po i largojmë dhe për edukim cilësor?

Realiteti në terren tregon se sfidat mbeten të shumta.

Mësuesit vazhdojnë të përballen me një ngarkesë të madhe burokratike, duke shpenzuar orë të tëra me dokumentacion, në vend që ta investojnë atë kohë në përgatitjen e mësimit dhe punën me nxënësit. Në shumë raste, sistemi duket se vlerëson më shumë dosjet sesa cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënit.

Nga ana tjetër, ka shqetësime për mënyrën e vlerësimit të nxënësve. Kur nota nuk pasqyron më nivelin real të njohurive, por ndikohet nga presioni, favorizimet apo standarde të ndryshme vlerësimi, humbet besimi te merita dhe te vetë shkolla.

Edhe arsimi i lartë përballet me probleme serioze. Shumë studentë ndjekin kurrikula që nuk i përgatisin për tregun e punës, ndërsa bizneset ankohen se diplomimi nuk shoqërohet gjithmonë me aftësitë praktike që kërkohen. Në të njëjtën kohë, herë pas here janë bërë publike edhe raste korrupsioni, ryshfeti apo shitjeje notash, të cilat dëmtojnë rëndë besimin te universiteti dhe cenojnë punën e ndershme të një pjese të pedagogëve.

Ka dhe pedagogë që shkelin hapur rregulloret e brendshme e ato të Ministrisë së Arsimit e që studentët i reflektojnë dhe në vlerësimet që u kërkohen, po a merren parasysh?!

Ndoshta alarmi më i madh është ai që shohim çdo ditë në oborret dhe ambientet pranë shkollave. Dhuna mes të miturve është bërë një fenomen shqetësues. Konflikte që përfundojnë në përleshje fizike, bullizim, kërcënime dhe video të shpërndara në rrjetet sociale nuk mund të konsiderohen më raste të izoluara.

Po aq shqetësues është edhe konsumimi i duhanit dhe, sipas raportimeve të përsëritura në media dhe denoncimeve të qytetarëve, edhe tregtimi e përdorimi i lëndëve narkotike pranë disa shkollave. Nuk mund të pranohet që nxënësit të ekspozohen ndaj këtyre rreziqeve në vendet ku duhet të ndihen më të sigurt.

Një sistem arsimor nuk matet vetëm me ligje, strategji apo kapituj të mbyllur në negociata. Ai matet me cilësinë e dijes që marrin nxënësit, me sigurinë që ndiejnë në shkollë, me motivimin e mësuesve, me meritokracinë, me integritetin e universiteteve dhe me mundësitë që u krijon të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Prandaj, përpara se të festojmë përmbushjen e standardeve, duhet të kemi guximin të përballemi me realitetin. Sepse standardet nuk provohen me deklarata, por me shkolla ku fëmijët mësojnë më mirë, ndihen të sigurt dhe dalin të përgatitur për jetën.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Zjarr i madh në dy restorante në Librazhd

Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme dy restorante në qytetin e Librazhdit, duke vënë në lëvizje forcat...

Hakerat godasin sistemin online të Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA, ndërpritet shërbimi një javë para votimeve

Uebsajti i Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA (FEC) është vënë në shënjestër të hakerave, duke bërë që...

Familja e 25-vjeçares skoceze që humbi jetën në Durrës kërkon ndihmë: Duhen 10 mijë paund për kthimin e trupit

Familja e Ferne King, 25-vjeçares nga Skocia që humbi jetën gjatë pushimeve në Durrës, po kërkon ndihmë financiare...

Arrestime të ligjshme” Gjykata jep masat e sigurisë për protestuesit

4 protestues nga 22 të arrestuar për dhunën që shpërtheu në protestën kombëtare të shtunën, u lanë në...