Bilanci më i fundit i zjarreve në Shqipëri, vatra aktive në Tiranë, Kurbin e Krujë!

Date:

Share post:

Disa vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa qindra forca po punojnë nga toka dhe ajri për të izoluar flakët dhe parandaluar përhapjen e tyre drejt zonave të banuara.

Ministria e Mbrojtjes, në përditësimin e fundit për situatën, njofton se në operacione janë angazhuar të paktën 227 forca operacionale, së bashku me 16 mjete zjarrfikëse dhe mbështetëse.

Operacionet nga toka janë mbështetur edhe nga ajri. Sipas ministrisë, janë kryer katër angazhime ajrore, me tre helikopterë dhe një avion Air Tractor.

Rishfaqen vatra në Dajt

Në qarkun e Tiranës, situata vijon të monitorohet në disa zona. Në Dajt, gjatë mesditës janë rishfaqur disa vatra zjarri, duke bërë të nevojshme vijimin e ndërhyrjes së forcave në terren. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Priskë të Madhe po punohet për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.

Ndërkohë, situata paraqitet më e përmirësuar në Cikallesh të Kavajës, ku intensiteti i zjarrit ka rënë ndjeshëm. Vatra po shkon drejt shuarjes së plotë pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe mbështetjes nga ajri të Forcave të Armatosura.

Nën kontroll zjarret në Mallakastër

Në qarkun e Fierit, situata paraqitet më e qëndrueshme.

Zjarri në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht të Mallakastrës është vënë nën kontroll dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Edhe vatra në zonën Koilac–Greshicë raportohet nën kontroll, pa rrezik për banesat.

Forcat vijojnë monitorimin për të parandaluar një riaktivizim të mundshëm të flakëve.

Krujë, situata stabilizohet

Në Abazë të Krujës situata është stabilizuar, megjithëse disa vatra të vogla mbeten ende aktive, kryesisht në zona ku terreni vështirëson ndërhyrjen.

Në operacion janë përfshirë Emergjencat Civile, Bashkia Krujë, shërbimi zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe Prefektura e Qarkut Durrës.

Edhe në këtë zonë autoritetet bëjnë të ditur se nuk ka rrezik për banesat.

Vilëz, flakët rrezikuan kishën, varrezat dhe banesat

Situata më problematike është raportuar në Vilëz të Kurbinit, ku një vatër zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore.

Terreni i vështirë dhe era favorizuan përhapjen e flakëve, të cilat rrezikuan kishën, varrezat dhe disa banesa të zonës.

Rreth 50 forca nga shërbimi zjarrfikës, Emergjencat Civile, Policia, strukturat vendore, shërbimi pyjor dhe vullnetarët janë angazhuar në operacion.

Për shkak të rrezikut është ndërhyrë edhe nga ajri me dy helikopterë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ndërhyrja ajrore ka bërë të mundur ndalimin e avancimit të zjarrit, duke shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.

Megjithatë, vatrat në këtë zonë vijojnë të jenë aktive dhe operacioni për izolimin dhe shuarjen e plotë të tyre vazhdon.

Ministria e Mbrojtjes njofton se strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile mbeten të angazhuara pa ndërprerje në terren dhe nga ajri, ndërsa situata po monitorohet në të gjitha zonat e prekura.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Digjet makina e vjedhur brenda tunelit në Vlorë, në kërkim personat që e braktisën

Një automjet tip fuoristradë, i raportuar i vjedhur disa kohë më parë, është gjetur i djegur brenda një...

Nafta “djeg” xhepat e shqiptarëve/ Më e shtrenjta në Europë në raport me të ardhurat

Nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në Europë, por për konsumatorin shqiptar kostoja reale është edhe...

Tiranë/Efektivi i ‘Shqiponjave’ godet me grusht një të shoqëruar, pezullohet nga detyra

Mëngjesin e ditës së parë të shkollës, një grup i vogël protestuesish tentuan të bllokojnë rrugët. Ata u...

Wireless dhe alkool, kontroll blic me urdhër të SPAK-ut në sektorin ku mbahet Ergys Agasi

Një kontroll blic, i urdhëruar nga SPAK është zhvilluar në paraburgimin e Bradasheshit në sektorin ku ndodhet i...