Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të hëne, 17 gusht, në Unazën e Madhe, pranë zonës së Farkës.
Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, në aksident janë përfshirë një automjet dhe një fadromë. Pas përplasjes, të dyja mjetet janë përmbysur dhe kanë përfunduar në mes të rrugës.
Pozicioni i mjeteve të aksidentuara ka sjellë edhe bllokimin e qarkullimit në këtë segment të Unazës së Madhe, ndërsa drejtuesit e automjeteve që lëvizin në këtë aks janë përballur me vështirësi në trafik.
Nga informacionet e para dyshohet se një person ka mbetur i plagosur si pasojë e aksidentit. Deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar për identitetin e personit të plagosur dhe as për gjendjen e tij shëndetësore.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës mjekësore dhe efektivët e Policisë Rrugore.
Policia ka nisur veprimet për administrimin e vendit të ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar dinamikën e përplasjes dhe shkaqet që çuan në përmbysjen e automjetit dhe fadromës.
Paralelisht po punohet për largimin e mjeteve të aksidentuara nga rruga dhe lirimin e segmentit, me qëllim rikthimin e qarkullimit normal në Unazën e Madhe.
Policia pritet të japë informacion të mëtejshëm për rrethanat e aksidentit dhe gjendjen e personit që dyshohet se ka mbetur i plagosur.
©ZëriOnline


