Një shtetas portugez rreth 20 vjeç është gjetur pa shenja jete në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ndërsa Policia dyshon se ai është vrarë me mjet prerës gjatë një konflikti.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit përpara një lokali në Ksamil, është gjetur i pajetë shtetasi portugez Miguel Mendes.
Nga veprimet paraprake hetimore dyshohet se 20-vjeçari është goditur me mjet prerës, thikë, gjatë një konflikti për motive që Policia i cilëson të dobëta.
Si autor i dyshuar është identifikuar shtetasi Sokrat Vata, 29 vjeç, banues në Has. Sipas Policisë, ai është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe vijon të jetë në kërkim.

Shërbimet e Policisë po kryejnë kontrolle për lokalizimin dhe kapjen e 29-vjeçarit.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.
Deri në përfundimin e hetimeve, rrethanat dhe përgjegjësia penale mbeten objekt i hetimit të autoriteteve.
©ZëriOnline


