Është kapur në Fier Sokrat Vata, 29-vjeçari i dyshuar për vrasjen me thikë të turistit portugez Miguel Mendes në lokalin “Principotes” në Ksamil.
Vata është lokalizuar nga Policia në zonën e Levanit, ndërsa mësohet se në momentin e kapjes ishte i fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një vajzë dhe pasagjer ishte edhe një person tjetër.
29-vjeçari ishte shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit në Ksamil. Pas krimit, ai dyshohet se është larguar nga zona, ndërsa kërkimet e Policisë janë shtrirë në disa qarqe.
Pas disa orësh arrati, ai është lokalizuar në Levan të Fierit dhe është vënë në pranga.
Miguel Mendes, 20 vjeç, shtetas portugez, u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit përpara një lokali në Ksamil.
Sipas të dhënave të siguruara më herët, i riu kishte marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe në kraharor, të cilat dyshohet se i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
20-vjeçari ndodhej në Ksamil së bashku me një grup shtetasish portugezë që kishin ardhur për turizëm, ndërsa Vata punonte si truprojë i ‘Principotes”, një lokal ku pastrohen paratë e krimit. Ai që duhej të garantonte rendin, u kthye në vrasës.
©ZëriOnline


