Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në aksin Tiranë-Durrës, në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”.
Në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të bllokohen përkohësisht korsitë e lëvizjes në të dyja drejtimet, për shkak të montimit të trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit.

Në drejtimin Tiranë–Durrës, automjetet do të devijohen përmes rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë në rrugën dytësore, për t’u rikthyer më pas në autostradë.
Mjetet e rënda dhe kamionët do të devijohen që në nyjën “Casa Italia”, duke vijuar lëvizjen nëpërmjet rrugës dytësore.
Në drejtimin Durrës–Tiranë, qarkullimi do të devijohet përmes mbikalimit Kashar–Thumanë dhe rrugës dytësore në anën e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, ku mjetet do të rikthehen në autostradë.
Ndërkohë, automjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën do të orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, për të vijuar më tej në drejtimet përkatëse.
ARRSH bën me dije se gjatë gjithë kohës së punimeve do të jetë e pranishme sinjalistika e përkohshme dhe personeli për menaxhimin e trafikut.
Drejtuesve të mjeteve u kërkohet të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e personelit, si dhe të planifikojnë paraprakisht itinerarin e tyre.
ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke rekomanduar shmangien, sa të jetë e mundur, të këtij segmenti gjatë orarit të punimeve.
©ZëriOnline


