Nga telefoni te posta, bumi i pakove TEMU pushton Durrësin

Date:

Share post:

Fotografitë e realizuara në ditë të ndryshme jashtë një zyre postare në Durrës sjellin në fokus një pamje që po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Qindra pako që presin çdo ditë të tërhiqen nga qytetarët, pas porosive të bëra online.

Pas tyre “fshihet” një mënyrë e re konsumi, e ndërtuar mbi çmime të ulëta, shumëllojshmëri produktesh dhe blerje me vetëm disa klikime. Mes platformave që kanë fituar terren të madh është Temu, ndërsa ky fenomen tashmë ka marrë përmasa të konsiderueshme në të gjithë Europën.

Shifrat e tregojnë më qartë sesa fotografia.

Sipas Këshillit të Bashkimit Europian, gjatë vitit 2024 në tregun europian hynë rreth 4.6 miliardë dërgesa të tregtisë elektronike me vlerë nën 150 euro. Rreth 91% e tyre kishin origjinën në Kinë.

Një fluks i tillë ka ndryshuar edhe mënyrën se si Europa e sheh tregtinë online me vlerë të ulët. Nga 1 korriku 2026, Bashkimi Europian ka vendosur një tarifë doganore fikse prej 3 eurosh për dërgesat nën 150 euro, duke ndryshuar një nga avantazhet që kishte favorizuar për vite këtë kategori porosish.

Por shqetësimi i Brukselit nuk lidhet vetëm me numrin e pakove.

Në fokus janë edhe siguria e produkteve, respektimi i rregullave europiane, konkurrenca me bizneset vendase dhe ndikimi i këtij modeli tregtie në mjedis.

Komisioni Europian ka ndërmarrë masa konkrete ndaj Temu-së. Në maj 2026, platforma u gjobit me 200 milionë euro për shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale, pasi Komisioni konstatoi mangësi në mënyrën se si ishte vlerësuar rreziku i produkteve të paligjshme në platformë.

Ndërkohë, kontrollet mbi mallrat që hyjnë në tregun europian janë shtuar. Autoritetet kanë evidentuar probleme me përputhshmërinë e një pjese të produkteve të tregtisë elektronike me kërkesat e BE-së.

Edhe shtetet anëtare po reagojnë me masa të veçanta. Franca, për shembull, ka nisur më 1 shtator aplikimin e tarifave mjedisore për modën ultra-fast, duke prekur platformat e tregtisë online si Temu dhe Shein.

Në këtë sfond, një porosi e vogël e bërë nga telefoni merr një kuptim më të gjerë.

Një bluzë, një aksesor, një pajisje për shtëpinë apo një produkt elektronik mund të niset nga Kina dhe të përfundojë, pas disa ditësh, në duart e një konsumatori evropian apo shqiptar.

Modeli është i thjeshtë: çmim i ulët, zgjedhje e madhe dhe porosi e menjëhershme. Por pas këtij komoditeti po zhvillohet një debat i madh për atë se çfarë hyn në treg, sa kushton realisht dhe kush paguan faturën e këtij modeli.

Kështu, pamja e pirgut të pakove jashtë një zyre postare në Durrës nuk është thjesht një skenë e përditshme postare. Është shenja lokale e një bumi global të blerjeve online, që po detyron edhe Evropën të ndryshojë rregullat e lojës.


V.Q.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të...

Drejtësi për Ilaria Sulën, nëna pas vendimit: “Pusho në paqe, engjëlli im!”

Pas më shumë se një viti dhimbje, familja e 22-vjeçares shqiptare përjeton një moment lehtësimi pas vendimit të...

Zjarr i madh në dy restorante në Librazhd

Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme dy restorante në qytetin e Librazhdit, duke vënë në lëvizje forcat...

Hakerat godasin sistemin online të Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA, ndërpritet shërbimi një javë para votimeve

Uebsajti i Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA (FEC) është vënë në shënjestër të hakerave, duke bërë që...