Një sherr për motive të dobëta ka ndodhur paraditen e sotme pranë tregut të Kavajës, ku janë përfshirë dy drejtues furgonësh.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 12:00, ndërsa sipas informacioneve paraprake në konflikt janë përfshirë Lufti Kaziu dhe Iljaz Istrefi.
Bëhet me dije se, sherri mes tyre ka degraduar deri në dhunë, ndërsa gjatë përleshjes dyshohet se Iljaz Istrefi është goditur me një levë në kokë. Pas incidentit, Istrefi është transportuar drejt Spitalit të Kavajës dhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë së Kavajës, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Ndërkohë, Lufti Kaziu është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme hetimore.
Pavarësisht se konflikti raportohet se ka nisur për motive të dobëta, rrethanat konkrete që çuan në përplasjen mes dy shoferëve pritet të sqarohen nga hetimet.
©ZëriOnline


