Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në një hotel në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku një grup prej më shumë se 10 personash, disa prej tyre dyshohet se të armatosur, kanë hyrë në ambientet e hotelit.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30. Personat dyshohet se kanë kërcënuar pronarin e hotelit Vasil Bedinaj, duke i kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh. Situata është përshkallëzuar më tej, pasi mes palëve ka pasur edhe konflikt fizik, ndërsa janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.
Pas incidentit, personat e përfshirë janë larguar nga hoteli, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë nisur ndjekjen e tyre.
Gjatë ndjekjes, dy persona që udhëtonin me një automjet janë përfshirë në një aksident në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit të Vlorës. I plagosur ka mbetur edhe Luan Muça, pronar i kompanisë “Delta”.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit.
Dy personat e aksidentuar janë arrestuar dhe janë nga Tirana.Ndërkohë, policia ka shtrirë kontrollet në disa zona të Vlorës, në përpjekje për të lokalizuar dhe kapur personat e tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
©ZëriOnline


