Një 44-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri paraditen e sotme në Sarandë, ndërsa një 73-vjeçar, kalimtar i rastit, ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:55, në zonën e ish-agjencisë, ku në rrethana ende të paqarta, sipas policisë, është qëlluar për vdekje Artan Myrtaj, rreth 44 vjeç.

Nga të shtënat është plagosur edhe Xhevdet Skëndaj, 73 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë kalimtar i rastit. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia ka nisur ndjekjen e autorëve, ndërsa janë ngritur pika kontrolli në akset në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, në përpjekje për të bllokuar largimin e tyre.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e dinamikës së atentatit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Autorët lëviznin me motor dhe mbanin skafandra për të fshehur identitetin e tyre.
Hetuesit po administrojnë provat dhe pamjet e mundshme të kamerave të sigurisë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ekzekutimit.


