Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo, ka bërë daljen e tij të parë publike që prej marrjes së detyrës, gjatë ceremonisë së hapjes së Konferencës së 42-të të Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter.
Demo theksoi rëndësinë bashkëpunimit mes institucioneve dhe vendeve të ndryshme në përballjen me kriminalitetin.
Sipas ministrit, bashkëpunimi ndërkombëtar është një nevojë e domosdoshme dhe jo një alternativë.
“Në luftën kundër krimit nuk ka vend për pushim dhe vetëkënaqësi. Duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë. Policia e Shtetit, prokuroria, SPAK, institucionet e drejtësisë janë pjesë e një arkitekture bashkëpunimi. Uroj të vendosim një gur të mëtejshëm themeli në këtë takim. Eksperienca e FBI ka një vlerë të pazëvëndësueshme. Rritja e kapaciteteve tona është prioritet. Digjitalizimi i Policisë së Shtetit është prioritet. Ky vit shënon 10 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi, shumë është bërë gjatë këtyre viteve, por kemi ende rrugë përpara. Do doja t’ju uroja punë të mbarë dhe qëndrim të këndshëm në Shqipëri. Kjo është hera e parë e imja që shfaqem si ministër i Brendshëm në Shqipëri, mezi pres të forcojmë më shumë partneritetin. Shpresoj të keni pak kohë të vizitoni Beratin”, tha Demo.
Ministri theksoi gjithashtu rezultatet e arritura në drejtim të konfiskimit të aseteve kriminale, ndërsa veçoi rolin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar. Demo nënvizoi se rezultatet në luftën kundër krimit lidhen drejtpërdrejt me aftësinë e institucioneve për të bashkëpunuar.
Sipas tij, rritja e besimit mes partnerëve krijon më shumë mundësi për bashkëpunim dhe sjell rezultate konkrete.


