Gjovalin Lazri është shqiptari i cili u vra gjatë tentativës së grabitjes në Baldissero d’Alba, në zonën e Cuneos në Itali ku bashkë me të paktën pesë të tjerë hynë në pronën e 35-vjeçarit Roberto Mollo për të vjedhur.
Sipas versioneve të para të hetuesve, 36-vjeçari (më herët u raportua se ishte 25 vjeç), kishte hyrë së bashku me disa bashkëpunëtorë në një fermë që ishte në proces rikonstruksioni. Mollo kishte konstatuar praninë e personave që kishin hyrë pa leje dhe kishte qëlluar me një pistoletë gjysmëautomatike. Lazri mbeti i plagosur dhe ndërroi jetë pak më vonë, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të personelit mjekësor të urgjencës 118.
Kush ishte viktima
Gjovalin Lazri ishte vendosur prej kohësh në zonën veriore të Torinos, ku jetonte së bashku me partneren dhe djalin e tyre të vogël. Në të njëjtin qytet, në Corso Taranto, çifti drejtonte një bar. Përmes avokates Roberta Sisimbro, familjarët u shprehën se janë “të shkatërruar” nga dhimbja. Avokatja theksoi se 36-vjeçari bënte një jetë të rregullt dhe po bënte përpjekje të konsiderueshme për të kapërcyer problemet e vjetra me drejtësinë: “Po përpiqej në çdo mënyrë të riintegrohej”.
Historitë e vjetra me drejtësinë dhe autopsia
Në të kaluarën e Lazrit figuronin disa precedentë për vepra penale kundër pasurisë, megjithëse detajet specifike të rasteve ende nuk janë bërë të ditura nga autoritetet. Për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes, autoriteti gjyqësor ka urdhëruar kryerjen e autopsisë në kuadër të hetimit të hapur për vdekjen e tij. Trupi i viktimës është transferuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Torino, ku do të kryhen ekzaminimet.
Dinamika e tentativës së grabitjes
Sipas të dhënave të mbledhura deri tani nga hetuesit, Lazri nuk ka vepruar i vetëm. Një grup i përbërë nga katër ose pesë persona dyshohet se kishte vënë në shënjestër fermën e Mollo-s për të vjedhur materiale ndërtimi, ndër të cilat pllaka, çimento, tjegulla, mjete pune dhe skela, me një vlerë totale tregtare prej disa mijëra eurosh. Pronari ndodhej brenda objektit pikërisht për të mbikëqyrur mallrat. I alarmuar nga zhurmat e pazakonta, Mollo mori armën dhe hapi zjarr: një plumb goditi 36-vjeçarin, ndërsa pjesa tjetër e grupit arriti të largohej në këmbë dhe më pas u zhduk me një automjet. Nga kontrollet e para të kryera në pronë rezultoi se në të vërtetë nuk ishte vjedhur asgjë.


