GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, në kuadër të hetimeve të SPAK. Hyseni u paraqit këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, ku për rreth 2 orë e gjysmë u mor në pyetje.
Mësohet se gjatë seancës, Vlora Hyseni nuk ka bërë deklarime para gjykatës, ndërsa ka qenë avokati i saj ai që ka paraqitur qëndrimin e mbrojtjes dhe ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie.
Në momentin e daljes nga gjykata, Hyseni nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me hetimet dhe akuzat ndaj saj. Ndryshe nga kur hyri në GJKKO, ku u kap me gazetaren Klodiana Lala.
Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. SPAK gjeti 9 faqe dokumente sekrete të SHISH në makinën e Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t, të cilat dyshon se ia ka vënë në dispozicion Hyseni.
Kjo e fundit ishte pyetur më 18 shtator nga SPAK, si person në dijeni për lidhjet me biznesmenin, por ka pretenduar se komunikimet mes tyre ishin në kuadër të bashkëpunimit të tij si informator i SHISH.
Në komunikimet e zbuluara nga SPAK, gjenden mbi 500 komunikime mes Hysenit dhe Agasit, ku sipas Prokurorisë, biznesmeni diktonte dhe merrte informacionin që i duhej, informohej për takime sensitive, si dhe shkëmbenin foto e video.
Ndërkohë, më herët GJKKO la në burg Fatjon Kalluçin, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në lokalin e vilave qeveritare në Durrës, të cilët akuzohen nga SPAK se ndihmuan Ergys Agasin gjatë arratisë.


