Tenderi me vlerë rreth 4.6 miliardë lekë për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qendra spitalore në vend është anuluar nga autoriteti kontraktor.
Agjencia e Prokurimeve ka publikuar zyrtarisht anulimin e tenderit për ofrimin e shërbimit të hemodializës në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, me marrëveshje kuadër 48-mujore.
Tenderi, me fond limit 4.59 miliardë lekë, ishte shpallur më 17 gusht 2026, me procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar. I zhvilluar me procedurë të hapur, në garë kishte marrë pjesë vetëm një operator, kompania Diaverum AB. Subjekti ishte shpallur fitues më 10 shtator 2026, me një ofertë prej 4 miliardë e 440 milionë e 664 mijë e 800 lekësh pa TVSH.
Procedura ishte zhvilluar nga Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH), shoqëri me zotërim publik. Në njoftimin e fituesit përcaktohej se nuk zbatohej periudha e pritjes, sipas parashikimeve të Ligjit për Prokurimin Publik.
Sot, procedura është anuluar zyrtarisht në sistem, me argumentin: “Procedura është anuluar për shkak të konstatimit të gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit.”
Anulimi zyrtar vjen pas deklarimeve të mëparshme verbale për anulimin e kontratës nga Ministria e Shëndetësisë. Pritet që për shërbimin e hemodializës të ndiqet një procedurë e re prokurimi, pas konstatimit të problematikave në dokumentet e tenderit të parë.
Tenderi kishte tërhequr vëmendje edhe për faktin se në garë kishte vetëm një konkurrent, ndërsa procedura ishte shënuar me “RedFlag” në analizën e të dhënave të prokurimit. Ky shënim lidhet me rrethana që mund të sinjalizojnë risk potencial në aspektin e pajtueshmërisë ligjore apo të praktikave të prokurimit, por nuk përbën në vetvete konstatim të një shkeljeje apo korrupsioni.


