Jo vetem Kroacia, edhe Italia ka bllokuar produkte shqiptare me probleme.
Ndërsa Italia ka bllokuar një sasi açugesh nga Shqipëria pasi kanë rezultuar me prani të lartë histamine, ndotës biologjik që nuk shkatërrohet gjatë procesit termik. Histamina mund të shkaktojë helmim të rëndë në organizmin e njeriut.
Açuget me histaminë janë eksportuar nga kompania shqiptare “Poseidoni”. Ky produkt me probleme është gjetur nga trupa inspektuese e kontrollit të ushqimit në supermarketet italiane, prania e histaminës ka rezultuar 800 mg/kg nga 400 mg/kg që është limiti maksimal, pas publikimit të analizave gjithë produkti është tërhequr nga tregu.
Ndërkohë, Kroacia bllokoi 3427 kg speca të kuq me ngarkesë të lartë të insekticidit Flonicamid. Flonicamid, ky ilaç përdoret në bimë për të luftuar mizën e bardhë dhe morrin e bimëve, insekte këto që ushqehen me gjethen e bimës.
Sipas analizave laboratorike, specat e kuq kanë rezultuar me një ngarkesë prej 0.8 mg/kg ndërkohë që prania e tij duhet të jetë n/a, pra zero, edhe pse preparati i mbrojtjes së bimëve Flonicamid është i lejuar, prania e këtij helmi në produkt tregon se nuk respektohet karenca, koha e shpërbërjes së ilaçit.
Kjo është ngarkesa e katërt këtë muaj me speca të dëmshem që bllokon Kroacia.


