Një plagosje me armë zjarri është regjistruar në afërsi të Zogut të Zi në Tiranë, ku një shtetas kosovar është qëlluar me plumb në këmbë.
Pas plagosjes, i dëmtuari është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar dinamikën dhe motivin e ngjarjes, si dhe për të identifikuar autorin. Grupi hetimor po mbledh dhe administron pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim dokumentimin e lëvizjeve para dhe pas të shtënave.
Një element që vështirëson hetimin lidhet me qëndrimin e të plagosurit. Sipas burimeve, shtetasi kosovar nuk ka pranuar të bashkëpunojë me grupin hetimor dhe nuk ka dhënë të dhëna për personin që e qëlloi apo për rrethanat që çuan në plagosje.
Në këto kushte, hetuesit po mbështeten te provat e mbledhura në vendngjarje dhe pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar dinamikën dhe për të identifikuar personat e përfshirë.
Hetimet vijojnë, ndërsa deri tani nuk është bërë i ditur identiteti i autorit dhe as motivi i plagosjes.


