Protesta kundër vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork përfundoi me arrestimin e më shumë se 100 demonstruesve, mes tyre edhe aktorja e njohur amerikane Susan Sarandon.
Protesta u zhvillua më 24 shtator dhe u organizua nga Jewish Voice for Peace, një organizatë hebreje që kundërshton sionizmin dhe mbështet të drejtat e palestinezëve. Demonstruesit u mblodhën në First Avenue, pranë selisë së OKB-së, ndërsa Netanyahu pritej të mbante fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme.
Protestuesit bllokuan një pjesë të rrugës dhe brohoritën slogane në mbështetje të palestinezëve dhe kundër luftës në Gaza. Policia e Nju Jorkut u kërkoi disa herë të largoheshin, ndërsa pas refuzimit të urdhrit nisi arrestimet.
Sipas organizatorëve, 104 persona u arrestuan, ndërsa Reuters raportoi fillimisht për të paktën 30 të ndaluar.
Mes protestuesve të arrestuar ishte edhe Susan Sarandon, 79 vjeçe, fituese e çmimit Oscar dhe një prej figurave të Hollywood-it që prej vitesh ka shprehur publikisht mbështetjen për kauzën palestineze.
Sarandon ka deklaruar së fundmi se aktivizmi i saj për Palestinën ka ndikuar edhe në karrierën e saj. Në protestë u arrestua gjithashtu aktorja Hannah Einbinder, ndërsa mes pjesëmarrësve ishin edhe figura të tjera të njohura publike.
Sipas raportimit të The Guardian, arrestimet ndodhën pasi protestuesit nuk iu bindën urdhrave të policisë për të liruar rrugën.
Protesta u zhvillua në të njëjtën kohë me fjalimin e Netanyahut në OKB, ku ai mbrojti veprimet e Izraelit dhe hodhi poshtë akuzat ndërkombëtare ndaj vendit të tij.
Pamjet e arrestimit të Sarandon, me aktoren që shoqërohet nga policia mes protestuesve, janë shpërndarë gjerësisht në mediat ndërkombëtare.


