Një ndjekje me shpejtësi të lartë është zhvilluar natën e së enjtes në rrugën “Pavarësia”, ku një 30-vjeçar, që udhëtonte me një automjet të vjedhur, u përpoq t’i shpëtonte policisë duke përplasur katër automjete.
Policia e Durrësit ka reaguar sot për ngjarjen e dy netëve të kaluara në zonën e plazhit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së enjtes. Efektivët e Stacionit të Policisë Plazh vunë re një makinë pa targa dhe me xhama të zinj, që kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Sapo pa policinë, drejtuesi shtoi shpejtësinë dhe nuk iu bind urdhrit për të ndaluar. Nis kështu ndjekja, ndërsa në përpjekje për t’u larguar, 30-vjeçari përplasi katër automjete, duke rrezikuar qytetarët dhe vetë punonjësit e policisë.
Por arratisja nuk zgjati shumë. Pasi braktisi makinën, ai tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u neutralizua nga efektivët.
Pas verifikimeve, policia zbuloi se bëhej fjalë për Mariglen Kondi, 30 vjeç, i shpallur në kërkim për vjedhje. Automjeti që drejtonte ishte vjedhur një ditë më parë në Tepelenë.
30-vjeçari përfundoi në pranga dhe tashmë përballet me disa akuza, mes tyre vjedhje, mosbindje ndaj urdhrit të policisë, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim të parregullt të automjetit.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
©ZëriOnline


