Ka nisur numërimi mbrapsht për një nga ekzekutimet më të bujshme dhe më të diskutura në historinë moderne të SHBA-së. Christa Pike është planifikuar të ekzekutohet më 30 shtator 2026 në institucionin e sigurisë së lartë Riverbend në Nashville, Tennessee. Ajo u bë një nga femrat më të reja të dënuara me vdekje në histori, ndërsa sot, në moshën 50-vjeçare, ajo mbetet e vetmja grua në dhomën e vdekjes në këtë shtet. Nëse ekzekutimi kryhet, Pike do të jetë gruaja e parë që përballet me ndëshkimin kapital në Tennessee në më shumë se 200 vjet.

Krimi makabër që tronditi Amerikën në vitin 1995
Ngjarja që çoi Pike drejt dënimit me vdekje e ka zanafillën në janar të vitit 1995, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe dhe ndiqte programin federal të trajnimit “Job Corps” në Knoxville. E verbuar nga një xhelozi e sëmurë, duke besuar se shoqja e saj e klasës, 19-vjeçarja Colleen Slemmer, po përpiqej t’i merrte të dashurin, Pike thuri një plan gjakftohtë hakmarrjeje. Së bashku me të dashurin e saj, Tadaryl Shipp, dhe një shoqe tjetër, ajo e joshi viktimën në një zonë të izoluar pyjore në kampuset e Universitetit të Tennessee, me pretekstin për të pirë marijuanë. Ajo që vijoi ishte një skenë e tmerrshme horrori.

Një orë torturë: Slemmer u sulmua egërsisht, u rrah dhe u torturua për rreth 60 minuta me një thikë mishi dhe një thikë kutish.
Simbolet satanike: Gjatë torturës, Pike i gdhendi viktimës një pentagram në gjoks.”
Suveniri” i tmerrshëm: Pasi i çau kokën me një gur duke i shkaktuar vdekjen, Pike mori një pjesë të kafkës së viktimës për t’u mburrur para miqve të saj në konvikt.
Në vitin 1996, juria e shpalli fajtore për vrasje të shkallës së parë dhe komplot. Ndryshe nga ajo, i dashuri i saj Tadaryl Shipp shpëtoi nga dënimi me vdekje dhe mori burgim të përjetshëm vetëm sepse ishte 17 vjeç (i mitur) në kohën e krimit.
A ekziston mundësia e faljes në çastet e fundit?
Ligjërisht, mundësia e faljes ekziston, por shanset janë pothuajse zero. I vetmi person që mund ta ndalojë ekzekutimin në këtë pikë është Guvernatori i Tennessee, Bill Lee, përmes të drejtës së tij për klimencë (ndryshimin e dënimit në burgim të përjetshëm). Sidoqoftë, ekspertët ligjorë dhe mediat ndërkombëtare si BBC theksojnë se Guvernatori Lee njihet për qëndrimet e tij të rrepta dhe nuk ka akorduar kurrë falje në raste të dënimit me vdekje. Gjykata Supreme e Tennessee tashmë ka rrëzuar kërkesën e saj më të fundit për pezullim. Avokatët e Pike dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Amnesty International, kanë lëshuar thirrje për mëshirë, duke argumentuar se:
Ajo ishte vetëm 18 vjeçe në kohën e krimit dhe truri i saj nuk ishte i zhvilluar plotësisht.
Vuan nga çrregullimi bipolar, PTSD dhe ka pasur një fëmijëri të mbushur me abuzime të rënda.
Nga ana tjetër, familja e viktimës refuzon çdo lloj mëshire.
Nëna e Colleen Slemmer ka deklaruar publikisht se ka pritur mbi 30 vite për këtë ditë dhe se ekzekutimi i Christa Pike është e vetmja mënyrë për të vendosur drejtësinë e munguar.


