Kontrollet për mbetjet urbane në Durrës po shoqërohen me masa administrative ndaj subjekteve që nuk respektojnë rregullat për depozitimin e tyre.
Një rast i tillë është dokumentuar edhe më 26 shtator, në orën 11:10, në rrugën Vëllazërimi, po jo vetëm aty dhe në zona të tjera të cilat kanë nisur të bëhen publike në Durrës nga Policia Bashkiake. Subjektet janë identifikuar edhe nga kamerat teksa u është vendosur gjobë në vlerën 20 mijë lekë.

Në procesverbalet e masave administrative, Policia Bashkiake konstaton hedhjen e mbetjeve të ndryshme urbane, përfshirë kartona, ambalazhe, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara, duke e konsideruar shkelje të akteve në fuqi për administrimin e mbetjeve dhe pastërtinë.
Fletëgjobat i referohen Ligjit nr. 8224, datë 15.05.1997, “Për Funksionimin e Policisë Bashkiake dhe të Komunës”, i ndryshuar, si dhe dispozitave përkatëse të akteve vendore.
Rastet vijnë në kuadër të kontrolleve që po zhvillohen në bashkëpunim me Ndërmarrjen Komunale Plazh dhe Ndërmarrjen e Shërbimeve Komunale, me fokus respektimin e orarit 23:00–04:00 për depozitimin e mbetjeve urbane dhe përdorimin e pikave të përcaktuara.
Bashkia njofton se kontrollet do të vijojnë dhe se masat administrative do të ndërmerren ndaj subjekteve apo individëve që shkelin rregullat. Ndërkohë tërheqja e mbetjeve urbane mbetet problematike ne brendësi te lagjeve dhe ato periferike.
©ZëriOnline


