Drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas rreth 40 minutash, ku u paraqit në kuadër të hetimeve për dosjen “Agasi”.
Bala u pyet nga prokurorët e SPAK lidhur me rrethanat që po verifikohen në hetimin ndaj biznesmenit Ergys Agasi. Deri në këtë fazë nuk janë bërë publike detaje mbi përmbajtjen e dëshmisë së tij.
Pas daljes nga SPAK, gazetarët e pyetën Balën për arsyen konkrete të thirrjes. Ai zgjodhi të mos japë shpjegime, duke iu përgjigjur me ironi:
“Nuk e di pse kisha një parandjenjë që do isha këtu.”
Vilson Bala ka drejtuar më herët Policinë Vendore të Durrësit, ndërsa ka mbajtur edhe detyrën e shefit të Forcës së Posaçme Operacionale në Tiranë. Aktualisht ai drejton Policinë e Korçës.
Thirrja e Balës në SPAK, pas ish-shefit Ilir Proda, vjen në një moment kur hetimi për Ergys Agasin është zgjeruar përtej dosjes së tenderëve të AKSHI-t. Agasi u arrestua në fund të gushtit në zonën e Plepave në Durrës, pas një periudhe në kërkim, ndërsa në kuadër të të njëjtit hetim janë verifikuar edhe kontakte të tij me persona me funksione në strukturat shtetërore.
Në ditët e fundit, në qendër të hetimit kanë qenë edhe komunikimet mes Agasit dhe ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni. Sipas materialeve të bëra publike nga mediat, SPAK ka administruar qindra komunikime mes tyre dhe ka hetuar edhe rrethanat e gjetjes së materialeve të klasifikuara në automjetin e biznesmenit. Hyseni është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Paraqitja e Vilson Balës është një tjetër zhvillim në serinë e marrjeve në pyetje dhe verifikimeve që SPAK po kryen në kuadër të hetimit të dosjes “Agasi”. Për momentin, nuk ka të dhëna publike që ta vendosin Balën nën akuzë; raportimet e sotme e referojnë si person të marrë në pyetje në lidhje me hetimin.
Bala qe marrë në pyetje nga SPAK që në vitin 2024, në kuadër të hetimit për dyshimet mbi dekonspirimin e operacionit kundër grupit Çopja në Elbasan. Në atë hetim u morën në pyetje edhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë.
©ZëriOnline


