Një 76-vjeçar ka humbur jetën pasditen e sotme në fshatin Greshicë të Mallakastrës, teksa po përpiqej të shuante një zjarr që kishte përfshirë një ullishte.
Viktima është identifikuar si Nazif Cenaj. Sipas informacioneve paraprake, i moshuari i kishte vënë zjarrin disa mbeturinave në tokën e tij, po flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe ai ka hyrë në zonën e përfshirë nga flakët për të shuar zjarrin.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Policisë, ndërsa kanë nisur verifikimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
I moshuari është viktima e parë e raportuar si pasojë e zjarrit në këtë zonë. Shkaku i vdekjes dhe rrethanat e plota pritet të përcaktohen zyrtarisht në vijim të hetimeve.


