Gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht janë paraqitur në Spitalin Rajonal të Korçës me simptoma të njëjta gastrointestinale, duke sjellë nisjen e një procedimi penal ndaj një mjekeje dhe drejtoreshës së kopshtit.
Sipas Policisë, fëmijët janë paraqitur në spital gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme. Mjekja 57-vjeçare E. X., e cila shërben në pavijonin e Pediatrisë, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se nuk ka njoftuar Policinë për rastet e paraqitura.
Në të njëjtën procedurë është përfshirë edhe drejtoresha 60-vjeçare e kopshtit, M. K., e cila dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme procedurale.


