Adivije Hoxha
*Studente dhe drejtuese e shoqatës së para dhe tetraplegjikëve Durrës
Sot u inaugurua Fakulteti i Studimeve Profesionale në Kampusin Universitar në Spitallë, Durrës.
Por, çuditërisht, studentët e këtij fakulteti nuk u lejuan të merrnin pjesë në inaugurimin e institucionit ku studiojnë.

Sipas asaj që u komunikua në hyrje, vetëm personat që kishin emrin në listë mund të hynin në ceremoni.
Pra, studentët , ata për të cilët ekziston ky institucion, mbetën jashtë.
Por kjo nuk është e vetmja çështje që kërkon përgjigje.
Një institucion i ri arsimor duhet të jetë i aksesueshëm për të gjithë.
Në hyrjen kryesore të godinës mungonte aksesi i përshtatshëm për personat me aftësi të kufizuara, (përdorues të karriges me rrota), të cilët orientoheshin të hynin nga pjesa e pasme e godinës, përmes një kalimi që, edhe ai, nuk përmbush standardet e aksesueshmërisë.
Pyetja është shumë e thjeshtë:
Pse një student me aftësi të kufizuara duhet të hyjë nga pas, kur të tjerët hyjnë nga hyrja kryesore?
Aksesueshmëria nuk është një favor, as një zgjidhje “sa për të thënë se ekziston”.
Është e drejtë dhe detyrim ligjor.
Dhe një godinë e re arsimore nuk mund të inaugurohet me mungesë aksesueshmërie, ndërkohë që flasim çdo ditë për përfshirje, barazi dhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Institucionet përgjegjëse duhet të japin përgjigje për të dyja çështjet:
- Pse u përjashtuan studentët nga inaugurimi i fakultetit të tyre dhe pse kjo godinë nuk garanton akses të barabartë për studentët me aftësi të kufizuara?
Të dashur, studentë!
Ju meritoni më të mirën!
Reagoni!
©ZëriOnline


