Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Greta Gjocit për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke i dhënë mundësinë 33-vjeçares të kthehet në shtëpi së bashku me foshnjën e saj 3-muajshe.
E reja ishte transferuar një ditë më parë në burgun e Pojskës, në Pogradec, bashkë me të voglën e saj, ndërsa sot u paraqit në seancën gjyqësore, e cila zgjati rreth 25 minuta. Gjatë zhvillimit të saj, foshnja u mbajt nga një kujdestare e institucionit penitenciar.
Në seancë ishte i pranishëm edhe avokati Jurgen Gjoci, i cili kërkoi që ekzekutimi i dënimit të shtyhej deri në momentin kur fëmija të mbushë një vjeç. Ai vendosi të marrë pjesë në proces, pavarësisht bojkotit të avokatëve, duke e argumentuar këtë me arsye humanitare dhe lidhjen familjare me 33-vjeçaren.
Vetë Greta Gjoci i kërkoi gjykatës të merrte parasysh gjendjen e foshnjës, duke deklaruar se gjatë qëndrimit në burg ajo kishte shfaqur vështirësi me ushqyerjen dhe gjumin.
Kërkesa u mbështet edhe nga prokurori Ened Nakuçi, i cili dha dakordësinë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.
Greta Gjocit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite e 5 muaj nga dënimi i dhënë në shkallën e parë.
Pas vendimit, 33-vjeçarja do të rikthehet në burgun e Pojskës vetëm për kryerjen e procedurave të nevojshme, ndërsa mbrëmjen e sotme pritet të bashkohet me familjen në shtëpi, së bashku me foshnjën.
Në këtë çështje ka ndërhyrë edhe institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka kryer verifikime në burgun e Pojskës për kushtet e qëndrimit të Greta Gjocit dhe foshnjës së saj 3-muajshe.
Përfaqësuesja e institucionit, Gloria Carkaxhiu, bëri të ditur se pas inspektimit të ambienteve dhe komunikimit me 33-vjeçaren, është konstatuar se kushtet e akomodimit për nënën dhe foshnjën përmbushnin nevojat e tyre. Ajo sqaroi se institucioni mund të monitorojë respektimin e të drejtave të tyre, por nuk ka kompetencë të ndërhyjë në vendimmarrjen gjyqësore për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.
Greta Gjoci është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim në kuadër të dosjes së grupit të drejtuar nga Bruno Çobo, të akuzuar për mashtrime përmes Call Center-ave ndaj qytetarëve italianë. Ajo është një nga pesë gratë e dënuara në këtë çështje, të cilat kanë kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për shkak të rrethanave familjare.


