Reshjet intensive që përfshinë vendin gjatë orëve të para të mëngjesit kanë sjellë probleme nga veriu në jug, duke vështirësuar qarkullimin rrugor dhe duke lënë pa energji elektrike dhjetëra fshatra. Përmbytjet në Durrës, dëmtimet e rrjetit elektrik në Lezhë dhe Fier, si dhe rënia e gurëve në rrugët malore, kanë nxjerrë sërish në pah problematikat e infrastrukturës.
Në Durrës është rikthyer situata e përmbytjeve të një viti më parë. Brenda pak orësh, reshjet kanë mbuluar me ujë disa rrugë dhe lagje të qytetit, ndërsa sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë prurjet.
Situata është paraqitur problematike në Shkozet dhe në lagjen nr. 18, ku uji i grumbulluar ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Në disa zona është raportuar edhe dalja e ujërave të zeza në sipërfaqe, si pasojë e bllokimit të kanalizimeve.
Pamjet e regjistruara në qytet tregojnë rrugë të përmbytura, duke rikthyer shqetësimet për funksionimin e sistemit të kullimit dhe mungesën e një zgjidhjeje afatgjatë për zonat që përballen vazhdimisht me grumbullimin e ujit.
Ndërkohë, në Lezhë, moti i keq ka krijuar rrezik edhe për sigurinë e banorëve. Në fshatin Zejmen, një linjë elektrike e tensionit të mesëm është shkëputur dhe ka rënë mbi banesa private.
Banorët tregojnë se kjo nuk është një situatë e re për ta. Sipas tyre, linja elektrike që kalon mbi shtëpitë e tyre përbën prej vitesh një rrezik të vazhdueshëm, ndërsa problemi ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare.
Ata shprehin shqetësimin se një defekt i tillë mund të ketë pasoja të rënda dhe kërkojnë ndërhyrje për zhvendosjen e linjës larg banesave.
OSHEE, e cila është në dijeni të problematikës, ka bërë të ditur se do të ndërhyjë për zhvendosjen e linjës elektrike.
Reshjet kanë shkaktuar gjithashtu ndërprerje të energjisë në disa zona të qarkut të Lezhës. Pa furnizim me energji elektrike janë raportuar banorë në Kallmet, Tale, Ishull-Lezhë dhe Zadrimë.
Situatë e ngjashme është regjistruar edhe në Fier, ku 30 fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërprerjet kanë prekur zona në bashkitë Fier, Patos dhe Mallakastër, si pasojë e problemeve të shkaktuara nga moti i keq.
Reshjet kanë sjellë vështirësi edhe në disa rrugë brenda qyteteve dhe në akset interurbane. Bllokimi i pusetave dhe i sistemeve të largimit të ujërave ka shkaktuar grumbullime uji, megjithëse deri tani nuk raportohen segmente të bllokuara plotësisht për qarkullimin.
Në verilindje të vendit, reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh në disa rrugë, duke shtuar rrezikun për drejtuesit e mjeteve.
Në qarkun e Kukësit, probleme janë raportuar në akset drejt Valbonës, Fierzë–Bajram Curri, Qafë Morinë, Kam–Krumë dhe Kukës–Qafë Mali, si dhe në rrugët që lidhin zonat e Shishtavecit dhe Bushtricës.
Vështirësi për shkak të reshjeve janë raportuar edhe në qarkun e Dibrës, ndërsa nuk ka ende informacion të detajuar për rrugët e prekura.
Moti i keq ka rikthyer kështu një sërë problematikash të përsëritura, nga përmbytjet në zonat urbane te defektet në rrjetin elektrik dhe rreziku në akset malore.
Ndërsa situata mbetet problematike në disa qarqe, ende nuk ka një bilanc të plotë të dëmeve të shkaktuara nga reshjet apo një afat të konfirmuar për rikthimin e energjisë elektrike në të gjitha zonat e prekura.


