Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në Bathore, Kamëz. Ngjarja është regjistruar rreth orës 05:05, në lagjen Nr. 1, ku një sasi lënde e dyshuar eksplozive është vendosur në murin rrethues të banesës së një 55-vjeçari.
Sipas informacionit paraprak të policisë, lënda plasëse është vendosur në murin e banesës së shtetasit Xhelal Kurti, rreth 55 vjeç, dhe më pas ka shpërthyer.
Nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale në murin rrethues të banesës, si dhe në një automjet të parkuar pranë hyrjes, në pronësi të djalit të 55-vjeçarit.
Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje, ndërsa autorët mbeten të paidentifikuar.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat e shpërthimit, si dhe për të identifikuar dhe kapur personin apo personat përgjegjës.
“Kamëz/Informacion paraprak
Më datë 09.10.2026, rreth orës 05:05, në lagjen Nr. 1, Bathore, është vendosur në murin rrethues të banesës së shtetasit Xh. K., rreth 55 vjeç, një sasi lënde e dyshuar plasëse, e cila ka shpërthyer.
Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në murin rrethues të banesës dhe në një automjet të parkuar pranë derës së saj, në pronësi të djalit të 55-vjeçarit.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.”, njofton policia.


