Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar krijimin e një ministrie të re në kabinetin qeveritar, duke vendosur ta kthejë administratën publike në një dikaster më vete. Njoftimi vjen me argumentin se administrata ka marrë një rëndësi të veçantë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe se qeveria duhet të zgjerojë përgjegjësitë e saj në këtë sektor.
Sipas Ramës, Ministria e Administratës Publike do të krijohet javën e ardhshme dhe në krye të saj do të qëndrojë Adea Pirdeni, e cila aktualisht ushtron funksionin e ministres së Shtetit për Administratën Publike.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht se tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë dhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë”, deklaroi kryeministri.
Në deklaratën e tij, Rama e lidhi drejtpërdrejt këtë vendim me procesin e integrimit europian, duke argumentuar se Shqipëria ka nevojë për një administratë që t’u përgjigjet detyrimeve të shtetbërjes europiane.
“Është nevoja që përmes kësaj ministrie që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, punëve e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve”, u shpreh Rama.
Administrata publike përfshin një sërë funksionesh që lidhen me rekrutimin, menaxhimin e personelit, zhvillimin profesional, standardet e shërbimit civil dhe zbatimin e politikave shtetërore. Për këtë arsye, ndryshimi i strukturës qeveritare ngre edhe çështjen se si do të ndahen përgjegjësitë ndërmjet ministrisë së re dhe institucioneve që aktualisht ushtrojnë këto funksione.


