Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure në zonën e Shkozës, në Tiranë, ku dy bashkëshortë kanë humbur jetën pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët. Policia dyshon se zjarrin e ka vënë qëllimisht bashkëjetuesi i vajzës së viktimave, 35-vjeçari Astrit Idrizi, i cili është arrestuar.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 00:30 të datës 14 tetor, në banesat sociale në rrugën “Ali Shefqeti”. Pas njoftimit për zjarrin, efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 mbërritën në vendngjarje dhe nisën hetimet për të zbardhur rrethanat.
Viktimat janë identifikuar si Ismete Ziu, 65 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj, Agim Ziu, 68 vjeç. Të dy u transportuan në spital pas zjarrit, por pavarësisht ndihmës mjekësore, nuk arritën t’u mbijetonin dëmtimeve të marra.
Nga hetimet paraprake dhe këqyrja e vendngjarjes, ekspertët kriminalistë kanë ngritur dyshime se 35-vjeçari Astrit Idrizi i ka vënë zjarrin banesës ku jetonin prindërit e bashkëjetueses së tij.
Policia ka vënë në pranga të dyshuarin, ndërsa ende nuk ka bërë të ditura motivet që mund ta kenë shtyrë drejt këtij veprimi.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, po vijon punën për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht përgjegjësinë e të dyshuarit.


