Protestat e dhunshme në Francë, shkrumbohet bashkia historike e Limoges, pamjet zbulojnë përmasat e shkatërrimit

Date:

Share post:

Pamje të reja nga qyteti francez i Limoges zbulojnë dëmet e rënda të shkaktuara nga zjarri në godinën historike të bashkisë, e cila u përfshi nga flakët të shtunën, më 17 tetor, pas një sulmi nga persona të maskuar gjatë trazirave që shpërthyen pas përfundimit të një proteste.

Fotografitë e publikuara të hënën tregojnë përmasat e shkatërrimit në një prej monumenteve më të rëndësishme arkitekturore të qytetit. Zjarri ka dëmtuar rëndë ndërtesën e shekullit XIX, e inauguruar në vitin 1883, duke lënë pas një pjesë të madhe të çatisë së shembur, kullën karakteristike me sahat të shkatërruar dhe dëme të konsiderueshme në ambientet e brendshme.
Sipas prefekturës, godina historike është dëmtuar rëndë. Prefekti Maurice Barate deklaroi se çatia është shembur dhe se dy të tretat e fasadës janë shkatërruar.
Ai e cilësoi ngjarjen si një “shkatërrim të trashëgimisë kulturore”, duke ia atribuar zjarrin një veprimi të qëllimshëm nga personat e përfshirë në trazira.

Një monument me rëndësi historike dhe arkitekturore

Bashkia e Limoges u ndërtua falë pasurisë së trashëguar nga Alfred Fournier, një qytetar i pasur që ndërroi jetë pa lënë pasardhës. Godina u ngrit në një zonë ku, gjatë periudhës romake, ndodhej tregu antik i qytetit.
Projektimi iu besua arkitektit Charles-Alfred Leclerc, i cili u frymëzua nga bashkia e Parisit. Ndërtesa ndërthur elemente të Rilindjes së vonë me tipare arkitekturore të periudhës së Luigjit XIII.

Fasada prej guri gëlqeror, e vendosur mbi një bazament graniti, dallohet për katër mozaikët që paraqesin figura të rëndësishme të historisë së Limoges. Mes tyre janë artisti i smaltit Leonard Limosin, kancelari d’Aguesseau, revolucionari Pierre Vergniaud dhe marshalli i Perandorisë Franceze Jean-Baptiste Jourdan.

Godina ishte në proces restaurimi

Një tjetër aspekt që e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje është fakti se godina historike ishte prej vitesh në qendër të një projekti për restaurim dhe mirëmbajtje.

Sipas Fondacionit Francez të Trashëgimisë Kulturore, ndërtesa ishte përfshirë në një program restaurimi, ndërsa bashkia kishte nisur një fushatë publike për mbledhjen e donacioneve që do të financonin punimet.

Zjarri ka goditur kështu një monument që synohej të ruhej për brezat e ardhshëm, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë arkitekturore dhe kulturore të Limoges.

Pamjet e reja dokumentojnë pasojat e rënda të dhunës, ndërsa shkatërrimi i bashkisë historike tregon koston që trazirat mund të kenë jo vetëm për sigurinë publike, por edhe për monumentet që mbartin historinë dhe identitetin e një qyteti.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...

Fushë-Prezë/35-vjeçari me makinë përplas për vdekje këmbësorin 58-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë,...

Vrasja e biznesmenit në Sarandë, arrestohen në Greqi Lulzim Tabaku dhe Idriz Çelo

Dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit 66-vjeçar Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur më 7...