Festivali i sivjetshëm i Junior Eurovision, i zhvilluar në Maltë, u mbyll duke sjellë sërish në vëmendje diskutimin mbi diferencat në vlerësim mes jurive profesionale dhe publikut. Përfaqësuesja e Shqipërisë, Eslin Kurti me këngën “Kërce me mua”, e mbylli rrugëtimin e saj në vendin e 15-të me 62 pikë në total, duke marrë një mbështetje të konsiderueshme pikërisht nga votimi online.

Mesazhi social i këngës sonë
Përtej renditjes, Shqipëria u prezantua në këtë edicion me një tematikë mjaft aktuale për kohën tonë. Kënga “Kërce me mua” solli një mesazh sensibilizues për fëmijët dhe prindërit, duke bërë thirrje për largimin nga teknologjia, telefonat dhe rrjetet sociale. Përmes ritmit dhe tekstit, performanca e Eslinit ftoi të rinjtë që të kthehen te lojërat në natyrë, komunikimi i vërtetë dhe gjallëria e moshës, një koncept ky që u kurua me mjaft kujdes edhe në skenografinë e festivalit.
Diferenca mes dy poleve të votimit
Ndarja e detajuar e pikëve tregon një qasje të ndryshme të publikut në krahasim me juritë kombëtare:
- Votat nga publiku online: Eslin Kurti grumbulloi 43 pikë nga ndjekësit në mbarë botën përmes platformës zyrtare JESC.TV. Kjo tregon se ritmi dhe mesazhi i këngës shqiptare u pritën mirë nga audienca e gjerë.
- Votat nga juritë profesionale: Juritë e shteteve pjesëmarrëse i dhanë Shqipërisë 19 pikë. Vlen të veçohet juria e San Marinos, e cila vlerësoi maksimalisht performancën shqiptare duke i dhënë 12 pikë.
Balanca mes gjeopolitikës dhe votës popullore
Ashtu si në festivalin evropian të të rriturve, edhe në edicionin e fëmijëve vihet re shpesh tendenca e jurive për të mbështetur shtetet fqinje apo blloqet tradicionale gjeografike. Ky fenomen bën që disa këngë të marrin më pak pikë nga ekspertët e tryezave të jurisë. Megjithatë, votimi i hapur online shërben si një element balancues, duke u dhënë mundësi shikuesve të mbështesin drejtpërdrejt këngët dhe mesazhet që u pëlqejnë më shumë në skenë, pa pasur parasysh kufijtë gjeografikë.
Fituesit e këtij viti
Renditja kryesore e Junior Eurovision 2026 u përcaktua gjithashtu nga ky kombinim i votave, duke shpallur fituesen e edicionit pas një gare mjaft të ngushtë
- Vendi i parë (Armenia): Naré fitoi trofeun me këngën ritmike “BOO!”, duke grumbulluar gjithsej 202 pikë. Edhe phe juria e renditi të tretën, votat e shumta të publikut online (99 pikë) e ngjitën atë në krye të tabelës.
- Vendi i dytë (Spanja): Lucas Paulano me këngën “Cuore bello” mori 184 pikë, duke gëzuar një mbështetje të qëndrueshme si nga juritë, ashtu edhe nga publiku.
- Vendi i tretë (Franca): Alec me këngën “Comment tu vas?” u rendit i treti me 165 pikë. Franca ishte e preferuara kryesore e jurive (114 pikë), bur mori më pak mbështetje nga votimi i publikut (51 pikë).
Ky edicion konfirmoi se suksesi në këtë skenë kërkon gjetjen e një formule që kombinon vlerësimin teknik të profesionistëve me popullaritetin dhe lidhjen emocionale me shikuesit e thjeshtë.

L. B.
- ©ZëriOnline


