Një incident i pazakontë dhe me përmasa të rrezikshme ka alarmuar pasditen e sotme autoritetet e Shkodrës dhe pikën kufitare të Hanit të Hotit. Një shtetas gjerman, i identifikuar tashmë zyrtarisht si Jan-Friedrich Krebs, 47 vjeç, ka sulmuar egërsisht me thikë dy efektivë të Patrullës së Përgjithshme, pasi këta të fundit tentuan ta bllokonin pas një denoncimi për tentativë djegieje të një makine.
Gjithçka nisi rreth orës 17:30, kur në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër mbërriti një telefonatë urgjente nga një 27-vjeçar shqiptar me inicialet A. Q.. I riu, i cili po udhëtonte me mjetin e tij nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, raportoi një skenë horror.
Pranë një pike karburanti afër kufirit, drejtuesi i një automjeti tjetër i kishte spërkatun makinën me benzinë në rrethana plotësisht të paqarta, duke rrezikuar një shpërthim apo djegie të qëllimshme.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje të mjetit të dyshuar, duke arritur ta lokalizojnë dhe ta bllokojnë rrugën në fshatin Pjetroshan.
Në momentin kur efektivët i janë afruar mjetit, 47-vjeçari gjerman ka shfaqur shenja të forta agresiviteti dhe ka refuzuar në mënyrë kategorike të identifikohej. Kur dy inspektorët e patrullës, S. B. dhe I. S., kanë ndërhyrë fizikisht për ta neutralizuar dhe prangosur, Jan-Friedrich Krebs ka nxjerrë një mjet prerës (thikë) duke i qëlluar ata disa herë.
Pavarësisht plagëve të marra dhe sulmit të befasishëm, efektivët e tjerë në vendngjarje kanë arritur ta neutralizojnë shtetasin e huaj, duke e shoqëruar me forcë në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.
Dy policët e plagosur u transportuan me urgjencë drejt spitalit, ku fatmirësisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon në dy pista kryesore: vlerësimin e gjendjes mendore të shtetasit gjerman dhe zbardhjen e motiveve se përse ai sulmoi fillimisht me lëndë djegëse 27-vjeçarin shqiptar. Ndaj Krebs pritet të ngrihen akuza të rënda, përfshirë “vrasje të mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë”.


