Ministrja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, pritet të bëjë sot një deklaratë për ndryshimet e reja në ligjet e emigracionit, me fokus kryesor kufizimin e kushteve dhe zgjatjen e periudhës së pritjes për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Masat, të prezantuara fillimisht në nëntor të vitit 2025, parashikonin zgjatjen e periudhës pesëvjeçare të pritjes për të përfituar statusin e qëndrimit të përhershëm (Indefinite Leave to Remain – ILR).
Ky status u jep emigrantëve të drejtën për të jetuar, punuar dhe studiuar në Britani pa kufizim kohor, si dhe mundësinë për të përfituar nga disa skema të ndihmës sociale.
Sipas propozimeve fillestare, punonjësit e huaj në sektorin e kujdesit social mund të përballeshin me një periudhë pritjeje deri në 15 vjet për të fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm. Megjithatë, sipas informacioneve të bëra publike, propozimet mund të zbuten dhe të përjashtojnë nga rregullat e reja punonjësit e kujdesit social që jetojnë tashmë në Britani.
Sekretarja e Strehimit, Angela Rayner, kishte kritikuar më herët zbatimin prapaveprues të këtyre rregullave, duke e cilësuar atë si “un-British” (jo britanike), veçanërisht në rastet kur preken emigrantët që ndodhen tashmë në vend.
Mahmood kishte argumentuar se zgjatja e afatit për marrjen e statusit të përhershëm ishte e nevojshme për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që mbërritën në Britani në mënyrë të ligjshme dhe që po i afroheshin përmbushjes së kushteve për qëndrim të përhershëm.
Sipas saj, rritja e emigracionit neto pas Brexit-it, gjatë qeverisjes së mëparshme konservatore, kishte krijuar një situatë që kërkonte ndryshime në sistem. Ministrja paralajmëroi se kjo mund t’i kushtojë taksapaguesve deri në 10 miliardë paund gjatë gjithë jetës së personave përfitues, duke iu referuar të dhënave të Komitetit Këshillimor për Migracionin (Migration Advisory Committee).
Në një fjalim në muajin mars, Mahmood deklaroi se Britania kishte përjetuar gjatë periudhës 2021-2024 nivele emigracioni që më parë ishin regjistruar përgjatë katër dekadave.


