Pas 28 vitesh në këmbë, Karl Bushby mbërrin në shtëpinë e nënës dhe mbyll udhëtimin rreth botës

Date:

Share post:

Një udhëtim që zgjati gati tri dekada ka marrë fund. Aventurieri britanik Karl Bushby, 57 vjeç, është kthyer më në fund në shtëpinë e tij në Hull të Anglisë, më 2 nëntor, 28 vite pasi u nis nga Kili për të përshkuar botën në këmbë.

Ish-parashutisti britanik përshkoi rreth 50 mijë kilometra, duke kaluar katër kontinente dhe afro 30 shtete. Ekspedita e njohur si “Goliath” nisi më 1 nëntor 1998 nga Punta Arenas, në skajin jugor të Kilit, me synimin për t’u kthyer në vendlindje pa përdorur asnjë mjet transporti për të avancuar itinerarin.

Bushby iu përmbajt dy rregullave të vendosura që në fillim: të mos përdorte transport të motorizuar për të përparuar dhe të mos kthehej në shtëpi derisa të përfundonte udhëtimin. Një sfidë që fillimisht parashikohej të zgjaste rreth 12 vite, por që u shndërrua në një aventurë 28-vjeçare.

Gjatë rrugëtimit, ai përballoi terrene ekstreme, kaloi zonën e rrezikshme të Darién Gap në Amerikën Qendrore dhe përshkoi ngushticën e Beringut mbi akull, mes Alaskës dhe Rusisë. Vështirësitë me vizat, kufizimet gjeopolitike, pandemia dhe pengesat natyrore e detyruan të ndërpriste disa herë udhëtimin për periudha të gjata.

Në vitin 2024, Bushby kaloi Detin Kaspik me not, ndërsa sfida e fundit ishte Kanali i La Manshit. Pasi nuk mori leje për të kaluar në këmbë përmes Eurotunelit, ai vendosi ta përshkonte kanalin me not. Më 5 tetor 2026, pas një kalimi që zgjati tri ditë, me rreth 20 orë në ujë, mbërriti në brigjet britanike, pranë Doverit.

Prej aty, i mbetën rreth 400 kilometrat e fundit deri në Hull. Më 2 nëntor, qindra njerëz u mblodhën për ta pritur në qytetin e tij, përpara se ai të ndërmerrte kilometrat e fundit drejt shtëpisë së nënës, Angela, të cilën nuk e kishte takuar prej 12 vitesh.

Përqafimi mes tyre shënoi fundin e një udhëtimi të jashtëzakonshëm, që nisi kur Bushby ishte vetëm 29 vjeç. Pas 28 vitesh, 50 mijë kilometrash dhe sfidash të panumërta, ai më në fund u kthye në shtëpi, pikërisht ashtu siç e kishte planifikuar, në këmbë.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Itali/ Tragjike, 21-vjeçari shqiptar vret me thikë nënën në banesë, vetëdorëzohet te karabinierët

Një 21-vjeçar shqiptar ka vrarë me thikë nënën e tij 39-vjeçare gjatë natës në banesën e familjes në...

Katër luftanije të NATO-s në Vlorë, stërvitje të përbashkëta me Forcën Detare Shqiptare

Katër anije luftarake të NATO-s, dy gjermane, një italiane dhe një spanjolle, kanë mbërritur më 2 nëntor në...

Një hidrogel që riparon zemrën pas infarktit, zbulimi i shkencëtarëve argjentinas

Pas një infarkti, një pjesë e muskulit të zemrës mund të vdesë dhe të zëvendësohet nga indi mbresor....

Taksat e reja të makinave, preken mbi 10 mijë automjete elektrike dhe 2,6 milionë mjete të huaja

Mbi 10 mijë automjete elektrike që qarkullojnë në Shqipëri pritet të përfshihen në skemën e re të taksimit....