“Grepi i Artë”, komedia e Bashkim Hoxhës që sjell në skenë përgjimet e sotme, botën e krimit dhe lojërat e pushtetit

Date:

Share post:

Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës solli mbrëmjen e së enjtes premierën e komedisë “Grepi i Artë”, një vepër e dramaturgut dhe shkrimtarit Bashkim Hoxha, me regji të Najada Elmazit. Një histori e mbështetur në realitetin shqiptar, ku humori ndërthuret me intrigat, dyshimet, sekretet dhe lojërat e pushtetit, duke vënë në qendër kontradiktat e marrëdhënieve njerëzore dhe përpjekjet për të ruajtur imazhin publik.
Përmes një gjuhe komike dhe situatash të papritura, shfaqja trajton fenomene që prekin shoqërinë e sotme. Dyshimet për tradhti bëhen pikënisja e një rrjeti intrigash, ku përgjimet, që vijnë, nga dy prej personazheve, si reminishencë e së kaluarës që vazhdon, kamerat e fshehta dhe sekretet personale i vendosin personazhet përballë njëri-tjetrit. E ndërsa afrojnë zgjedhjet, ambicia për pushtet dhe interesat personale ndërthuren, duke krijuar një lojë ku secili përpiqet të zbulojë të vërtetën e tjetrit, por njëkohësisht të fshehë të vetën.

Dramaturgu Bashkim Hoxha, i kënaqur, shprehet se kjo premierë ishte një rastësi e bukur, pasi erdhi 50 vjet pas premierës së tij të parë në teatrin Aleksandër Moisiu me dramën “Shokë lufte” me një kastë shumë të mirë aktorësh. Për median, ai deklaroi se komedia erdhi e interpretuar bukur nga aktorët, ndërsa vlerësoi dhe përshtatjen, konceptimin regjisorial të Najada Elmazit.

“Personazhet kanë dalë shumë bukur nga puna e gjithsecilit prej personazheve, si dhe nga puna e regjisores që e ka konceptuar shumë drejt këtë histori”, tha Hoxha ndërsa solli në vëmendje krahasimin mes dy kohëve.

Në dramaturgjinë e sotme ka ndryshuar mënyra si kundrohet jeta dhe fenomenet, si dhe roli që ka teatri sot, një oponencë e realiteteve tona, përfshirë politikën. Një oponencë e pamundur para 50 viteve.

Regjisorja Najada Elmazi e ka konsideruar veprën si një material që komunikon drejtpërdrejt me aktualitetin shqiptar. Sipas saj, personazhet dhe situatat e ndërtuara nga Bashkim Hoxha ofrojnë mundësi për të eksploruar marrëdhënien mes dramaturgjisë, interpretimit aktorial dhe teknologjisë, veçanërisht në një kohë kur informacioni, imazhi dhe përgjimi ndikojnë gjithnjë e më shumë në marrëdhëniet njerëzore.

Një nga veçoritë e kësaj komedie është edhe ideja e kurthit, grackës që personazhet i ngrenë njëri-tjetrit, por në të cilin përfundojnë duke rënë vetë. Megjithatë, fundi i komedisë mbetet i hapur, duke mos përcaktuar përfundimisht fatin e secilit prej personazheve, po më dukshëm të aleancave. Të zhveshur nga të fshehtat e tyre dhe, njëkohësisht, në dukje të çliruar prej tyre, personazhet ia lënë spektatorit vlerësimin përfundimtar të ngjarjeve dhe të asaj që shfaqja përcjell.

Elmazi është shprehur , “Grepi i Artë” simbolizon pikërisht këtë kurth që njerëzit ndërtojnë për të tjerët, por në të cilin përfundojnë duke u zënë vetë. Në këtë lojë të ndërlikuar zbulimesh dhe të vërtetash, edhe publiku bëhet pjesë e procesit, duke u përfshirë në zbërthimin e asaj që fshihet pas veprimeve të personazheve.

Në kastin e aktorëve janë Neritan Liçaj, Julia Ilirjani, Mimoza Marjanaku, Era Çaushi, Ervin Doko, Marvin Tafaj dhe Xhejni Fama, të cilët sjellin në skenë personazhet e kësaj historie plot përplasje dhe të papritura.

Ekipi artistik plotësohet nga drejtorja e Qendrës Kulturore Alketa Tragaj Myshketa për skenografinë dhe kostumografinë, Elios Ibro si asistent regjisor, Rona Castrioti në kompozimin muzikor dhe Arian Plaku në koreografi.

Pas premierës, “Grepi i Artë” do të vijojë të shfaqet për publikun durrsak, si dhe artdashësit nga Tirana dhe rrethet e tjera, edhe në mbrëmjet e datave 6, 7 dhe 8 nëntor, në orën 19:00, në sallën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës.

Një komedi që përmes të qeshurave sjell edhe reflektim mbi realitetin shoqëror, mbi marrëdhëniet mes njerëzve, hipokrizinë, si dhe dëshirën për të kontrolluar të vërtetën, sepse në këtë lojë intrigash, ku të gjithë përpiqen të hedhin grepin, të kapin në rrjetë të tjerët, mbetet për t’u parë se kush do të përfundojë i kapur prej tij.

Zëri Online

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Durrës/ 37-vjeçari godet me sende të forta prindërit e moshuar, babai në gjendje të rëndë

Një ngjarje e rëndë është shënuar në familjen Kaçuli, në fshatin Rrushkull të Manzës, në Durrës, ku një...

Vlorë/ Monopatinë elektrike, aksidentohet i riu në Vlorë! Dërgohet i plagosur në spital

Një aksident është regjistruar pasditen e kësaj të premte në bulevardin “Ismail Qemali”, në qytetin e Vlorës, ku...

Ndalohet mësuesi i fiskulturës në Vlorë, u akuzua nga nxënëset e tij

Një mësues i edukimit fizik është ndaluar në Vlorë, pasi shtatë nxënëse të moshave 14 deri në 17...

Vlorë/ E zuri korenti gjatë punës, humb jetën elektricisti 45-vjeçar në Kocul

Një elektricist 45-vjeçar ka humbur jetën pasi e ka zënë korrenti gjatë punës në nënstacionin elektrik të fshatit...