Policia e Tiranës ka arrestuar një 50-vjeçar, të dyshuar si autor të dy grabitjeve me armë në dy filiale bankare në kryeqytet.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, njoftoi se në kuadër të operacionit “Gjuetari i Bankave” u ndalua shtetasi Robert Duka 50 vjeç, i dyshuar për grabitjet e kryera më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026.
Sipas policisë, 50-vjeçari ka kryer të dyja grabitjet nën kërcënimin e armës së zjarrit, ndërsa gjatë veprimeve ka përdorur maskim për të shmangur identifikimin.
Hetuesit arritën ta identifikonin përmes sistemeve teknologjike dhe analizimit të veshjeve që dyshohet se kishte përdorur gjatë grabitjeve.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 8200 euro, veshje të lidhura me ngjarjet dhe dy telefona celularë
Deklarata e policisë:
Sot jemi këtu për t’ju informuar mbi rezultatet e punës hetimore të Policisë së Tiranës, për zbardhjen e dy vjedhjeve me armë në dy filiale bankare, si dhe goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.
Pavarësisht angazhimit intensiv të strukturave të Policisë gjatë protestave, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale ka vijuar pa ndërprerje.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë.
Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan;
– 8 200 euro,
– Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale
– 2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fly”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe autoritetet doganore, bazuar në informacionet e siguruara ushtruan kontroll në bagazhet e pasagjerëve të linjës ajrore Athinë–Rinas.
Gjatë kontrollit, në një valixhe u gjetën dy paketime me material bimor, të dyshuar si lëndë narkotike Cannabis sativa.
Pas veprimeve intensive hetimore u identifikua poseduesi i dyshuar i valixhes, shtetasi grek M. P., 51 vjeç, i cili ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes.
Shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në rrugën e Durrësit, ku u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, dje, nga Strukturat hetimore, u kapën dhe u ndaluan 3 shtetas me masë sigurie “Arrest me burg” konkretisht;
– O.K. 29 vjeç
– G.S. 28 vjeç
– S.H. 20 vjeç


