Ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, është nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK e ka regjistruar procedimin më 30 tetor dhe Hyseni dyshohet se ka përfituar të paktën 500 mijë euro nga Ergys Agasi përmes transfertave drejt një kompanie gjermane ku punon njëri prej vëllezërve të saj.
Paratë dyshohet se burojnë nga një tender i AKSHI-t.
Provat për këto transaksione janë gjetur fillimisht në disa prova materiale të sekuestruara në zyrën e biznesmenit Ergys Agasi.
Ky i fundit në qeli, në hetim nga SPAK si drejtues i një grupi kriminal që paracaktonte tenderat në institucionin e AKSHI-t.
500 mijë euro në dy transferta drejt kompanisë ku punon vëllai i Hysenit
Një nga lëvizjet më të rëndësishme financiare është ajo e dy transfertave të kryera në mars 2024, secila në vlerën 250 mijë euro, nga kompania “Fortis Beton” drejt shoqërisë gjermane “Wilhelm & Co Planungsgesellschaft”.
Në total, 500 mijë euro u transferuan drejt kësaj kompanie, me argumentin se pagesat mbulonin projektimin arkitekturor të një qendre tregtare prej rreth 17 mijë metrash katrorë në Tiranë. Por projekti nuk është realizuar.
Dyshimet e SPAK-ut përqendrohen te fakti se në këtë kompani gjermane punon njëri prej vëllezërve të Vlora Hysenit. Sipas prokurorisë, transfertat nuk kanë pasur si qëllim pagesën për një shërbim real projektimi, por shpërblimin e ish-drejtoreshës së SHISH-it nga Ergys Agasi.
Hetuesit dyshojnë se përmes kësaj rruge financiare janë kanalizuar para të përfituara nga fondet publike të AKSHI-t, në këmbim të informacioneve sekrete nga institucioni i inteligjencës.
Transferta tjetër prej 450 mijë eurosh drejt kompanisë së vëllait tjetër
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është një transfertë prej 450 mijë eurosh, e nisur nga “Fortis Beton” drejt kompanisë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”.
Pagesa është anuluar më 27 shkurt 2024, por kompania rezulton e përfaqësuar nga Izet Dingler, vëllai tjetër i Vlora Hysenit.
SPAK ka verifikuar se Izet Dingler ka mbajtur më parë mbiemrin Hyseni, fakt që është konfirmuar edhe nga dokumentacioni familjar dhe deklarimet e ish-drejtoreshës përpara prokurorëve.
Edhe pse transferta nuk u realizua, prokuroria vlerëson se anulimi i saj nuk përjashton dyshimet për ekzistencën e një skeme financiare që synonte kalimin e parave drejt familjarëve të ish-kreut të SHISH-it.
SPAK zgjeron hetimet, kërkon verifikime në Gjermani dhe Kosovë
Për të zbardhur plotësisht lëvizjet e parave, SPAK ka dërguar letërporosi drejt autoriteteve në Gjermani dhe Kosovë, me qëllim sigurimin e informacionit mbi kompanitë, pronësinë, aktivitetin e tyre dhe transfertat bankare.
Prokuroria po verifikon nëse shumat e transferuara përfaqësojnë pagesa fiktive, të përdorura për të fshehur përfitime të paligjshme në favor të Vlora Hysenit.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Ergys Agasi ka përdorur para të përfituara nga fondet e AKSHI-t për të shpërblyer ish-drejtoreshën e SHISH-it, në këmbim të informacioneve sekrete.
Hyseni përballet gjithashtu me hetime për nxjerrjen e sekretit shtetëror dhe përkrahjen e autorit të krimit, pasi dyshohet se ka ndihmuar Agasin t’i shmangej drejtësisë. Ndaj saj janë lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ndalimi i daljes jashtë vendit.
Në thelb të hetimit mbeten 500 mijë eurot e transferuara në kompaninë ku punon njëri prej vëllezërve të saj, si dhe tentativa për të dërguar 450 mijë euro të tjera drejt kompanisë së vëllait tjetër.
SPAK po përpiqet të zbardhë nëse këto transferta ishin pjesë e një mekanizmi për pastrimin e parave të përfituara nga tenderët publikë dhe për shpërblimin e ish-drejtueses së shërbimit sekret.


