Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, ka dhënë shpjegime në Komisionin për Çështjet e Brendshme lidhur me procedurat e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Gjatë përgjigjeve ndaj deputetit të partisë Mundësia, Erald Kapri, Bodo sqaroi se dokumentacioni që shoqëron transferimet për arsye sigurie është i klasifikuar dhe se për të pasur akses në të duhet të ndiqet procedura përmes një kërkese zyrtare.
“Vetëm të premten firmosa 93 urdhra transferimi, kompetencë e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Me përgjegjësi të plotë ju them se urdhri i transferimit është klasifikuar, futet në kategorinë e akteve të klasifikuara me nivelin e kufizuar dhe me afat ruajtjeje dy vite. Çdo raport, memo, vlerësim individual mbi rastin që kryhet për shkaqe sigurie futet në kategorinë ‘sekret’ dhe ruhet për 10 vite”, tha Bodo.
©ZëriOnline


