Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 52-vjeçarin Bledar Bakaj, dajën e deputetes Zegjine Çaushi, i cili dyshohet se plagosi rëndë me drapër një 67-vjeçar në fshatin Suk të Roskovecit. Bakaj akuzohet për plagosje të rëndë me dashje dhe për veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Vendimin e mori këtë të hënë gjyqtarja Bora Shaholli, pasi Prokuroria e Fierit kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” ndaj 52-vjeçarit.
Ngjarja ndodhi në fshatin Suk të Roskovecit, ku Bakaj dyshohet se shkoi në banesën e familjes Grëmi dhe tentoi të merrte me forcë vajzën e tyre 34-vjeçare.
Babai i vajzës, 67-vjeçari Enver Grëmi, kundërshtoi veprimet e tij. Mes dy burrave nisi një konflikt fizik, gjatë të cilit Bakaj dyshohet se e goditi të moshuarin me drapër në këmbë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Pas konfliktit qëndron një histori e mëparshme, të cilën 67-vjeçari e ka rrëfyer në dëshminë e tij.
Sipas Enver Grëmit, disa muaj më parë, Bakaj kishte kontaktuar familjen duke i premtuar se do ta ndihmonte vajzën e tyre të gjente një vend pune. 34-vjeçarja vuante nga anemia dhe përballej me probleme shëndetësore.
Më 26 maj, babai dhe vajza kishin shkuar në Spitalin Rajonal të Fierit për një kontroll mjekësor. Sipas pretendimeve të 67-vjeçarit, pas vizitës, Bakaj e mori të renë me vete, duke i thënë babait se do ta transportonin me ambulancë drejt Tiranës.
Familja pretendon se për 45 ditë nuk pati asnjë kontakt me vajzën dhe nuk dinte vendndodhjen e saj.
Pas kthimit në banesë, 34-vjeçarja u kishte treguar prindërve se Bakaj e kishte mbajtur kundër dëshirës së saj dhe e kishte dhunuar seksualisht. Më pas, ajo kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje në polici.
Sipas dëshmisë së babait, 52-vjeçari u rikthye në banesën e familjes në Suk një natë përpara vendimit të gjykatës, duke tentuar ta merrte sërish vajzën. Kundërshtimi i Enver Grëmit çoi në përplasjen fizike, gjatë së cilës 67-vjeçari mbeti i plagosur.
Ndërkohë, Prokuroria e Fierit po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe pretendimet e ngritura nga familja.
Gjykata ka vendosur që Bledar Bakaj të qëndrojë në burg deri më 17 dhjetor 2026, sipas afatit të përcaktuar në vendimin për masën e sigurisë.


