Vali Qyrfyçi
Durrësi këtë 19 mars u kthye në skenën e një eventi të madh përkujtimor në nder të Imzot Vinçens Prenushit, një prej figurave të shquara të klerit katolik shqiptar, i cili humbi jetën në burg më 19 mars të vitit 1949. Kryedioqeza e Tiranë-Durrësit e organizoi këtë pelegrinazh të veçantë, në kuadër të vitit jubilar të Kishës Katolike, i cili shënon 2025 vjet nga lindja e Krishtit, në Durrës, një nga djepet historike të katolicizmit në Shqipëri. Ai nisi nga burgu famëkeq i Durrësit, ku shumë priftërinj dhe figura të shquara të kombit shqiptar vuajtën gjatë viteve të para të regjimit komunist.



Në këtë ceremoni-shtegtim “Dritë, më shumë dritë” mori pjesë edhe Arqipeshkvi i Kryedioqezës Imzot Arian Dodaj, si dhe personalitete të tjera të komunitetit katolik dhe qytetarë të shumtë.

Figura kryesore e përkujtimit ishte Imzot Vincens Prenushi, Arqipeshkëv i Tiranës dhe Durrësit, i cili u martirizua në këtë burg 76 vitë më parë. Ai konsiderohet një ndër personalitetet më të mëdha shpirtërore, kulturore dhe letrare të Shqipërisë.
“Figura të tilla të harmonisë dhe paqes duhet të jenë shembuj për ne dhe brezat e rinj. Papa Gjon Pali II thoshte: ‘Një popull pa të kaluar është një popull pa të ardhme.’ Këto figura janë shembuj për ta parë të ardhmen me shpresë e pozitivitet”, u shpreh Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj.

Duke folur për rëndësinë e këtij përvjetori, ai theksoi se kujtimi i martirëve nuk është thjesht një akt historik, por një dëshmi e dashurisë dhe paqes, e cila duhet të shërbejë si një itinerar frymëzimi për brezat e rinj.
“Ne kujtojmë Shoah-un, por edhe historia jonë e martirizimit duhet të ruhet dhe të përcillet si pjesë e kujtesës sonë kombëtare. Ato rrënoja të mbetura të burgut të Durrësit duhet të kthehen në një vend të memories, jo vetëm për katolikët, por për të gjithë shqiptarët”, tha Dodaj.
Juristja Brisida Gjikondi e cilësoi këtë pelegrinazh si një moment të rëndësishëm reflektimi dhe përkujtimi për figurat e qëndresës dhe fisnikërisë shqiptare.
“Dioqeza e Tiranë-Durrësit është një nga dioqezat apostolike, e hapur nga vetë apostujt e Jezu Krishtit. At Vincens Prenushi është një figurë që duhet përkujtuar nga të gjithë pasi është një nga kolosët e mendimit, të qëndresës dhe fisnikërisë shqiptare. Ky pelegrinazh është një dëshmi e vazhdimësisë së besimit dhe qëndresës së popullit tonë”, u shpreh ajo.

Burgu i Vjetër i Durrësit
Burgu i Durrësit, ku u mbajt i burgosur Imzot Prenushi, ishte një ndër institucionet famëkeqe të regjimit komunist. I ndërtuar mbi një godinë të vjetër të mbretërisë (1945), ai raportohet se kishte një kapacitet prej 220 personash, por në vitet e errëta të diktaturës, numri i të burgosurve arriti deri në 400. Tuberkulozi ishte një sëmundje e përhapur në këtë ambient të papërshtatshëm, ndërsa të burgosurit përballeshin me kushte të rënda jetese dhe trajtime çnjerëzore. Ai u mbyll në vitet ’50 dhe të burgosurit u transferuan në kampin nr. 7 në Tiranë.

Në mesin e të burgosurve të njohur që kaluan në këtë institucion represiv përmenden edhe personalitete si shkrimtari Arshi Pipa (1946-1948) dhe Isahak Shahnaian (1958-1967).
“I jam falenderues Zotit nga një anë që akoma është gjurma e rrënuar e atij burgu, por dhe i habitur si ne vazhdojmë të humbim gjurmët e së kaluarës. Ai është një vend i veçantë, jo vetëm për ne si katolikë. Aty kanë vuajtur edhe Dom Zef Zogaj, Jul Bonati, por dhe myftiu i Durrësit. Duhet të jetë një vend i memories”, thekson me tej Imzot Dodaj, duke shtuar se duhet të krijojmë itinerare të dëshmisë sonë, të martirizimit, si në Romë e gjetkë, si dëshmi e dashurisë dhe paqes, e harmonisë fetare dhe vlerave për brezat e rinj.
Kush ishte Imzot Vinçens Prenushi?
Poet e martir, imzot Vinçens Prenushi ishte një prej figurave më të rëndësishme të Kishës Katolike Shqiptare dhe një kundërshtar i hapur i regjimit komunist. Ai u arrestua, u torturua dhe më pas vdiq në burgun e Durrësit në vitin 1949, duke u bërë një martir i fesë dhe i lirisë.
Ky event përkujtimor synon të rikthejë në vëmendje historinë e tij dhe sakrificat e klerikëve katolikë gjatë periudhës komuniste, duke shërbyer si një reflektim mbi të kaluarën dhe si një nderim për ata që sakrifikuan për besimin dhe lirinë e tyre. Ky vit jubilar shërben si një mundësi për të reflektuar mbi historinë, qëndresën dhe rolin e fesë në forcimin e vlerave shoqërore dhe kombëtare.
Pelegrinazhi u mbyll në Katedralen Shën Luçia, ku u mbajt një ceremoni përkujtimore në nder të martirëve dhe trashëgimisë së tyre shpirtërore.

©️zërionline


