Deputetja e Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, Klodiana Spahiu, që kryeson listën e mbyllur të kandidatëve të PS-së në Durrës, ka pranuar gjatë një interviste në media se nuk e priste përfshirjen e saj në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit. Ajo tha se kishte menduar se rrugëtimi i saj politik kishte përfunduar, pas 16 viteve në politikë.
“Doni një përgjigje të sinqertë? Unë nuk e prisja fare që të isha në lista. Sepse pas 16 vitesh në politikë, kisha menduar… Në konceptin tim dhe në punën e madhe që është bërë në këto vitet e fundit nga Partia Socialiste, ne kemi kërkuar elementë të rinj. Nuk e kemi bërë pa qëllim Akademinë Politike, që ka shërbyer si një mekanizëm për të sjellë frymë të re në politikë”, u shpreh Spahiu.
Ajo nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së emrave të rinj në skenën politike, duke e cilësuar këtë proces si një hap të domosdoshëm për zhvillimin dhe freskimin e partisë.
Krahas angazhimit të saj politik, Klodiana Spahiu nuk e ka lënë pas dore profesionin e mjekes kardiologe që e mban edhe më shumë të lidhur me banorët e Durrësit. Ajo vijon të ushtrojë këtë detyrë në klinikën e saj, duke balancuar përgjegjësitë mes politikës dhe shëndetësisë. Për Spahiun, komumikimi dhe shërbimi ndaj qytetarëve konsiderohet një prioritet.
©️zërionline


