Rrethi po ngushtohet. Prokuroria e Posaçme ka ‘zbarkuar’ në vilën e biznesmenit Ron Yeffet në Pëllumbas dhe ka kryer kontrolle.
Veprimet e hetuesve vijnë në një periudhë kur emri i Yeffet, mik i ngushtë i Edi Ramës, është i lidhur me skandalin KAYO, ku kompania e biznesmenit ka marrë 3.1 milionë euro.
Po ashtu kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, të drejtuar nga Ermal Nufi, ku hetuesit kanë sekuestruar një sërë dokumentesh. Hetimi mund të përfshijë edhe zyrtarë të lartë të përmendur në përgjime, të cilët mund të thirren si persona në dijeni, ndërsa nuk përjashtohen kontrolle të tjera në kuadër të çështjes.
Ron Yeffet është biznesmen izraelito-amerikan dhe rezulton i përfshirë në kompani që zhvillojnë aktivitet në sektorin e mbrojtjes. Mes tyre janë “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, të krijuara në vitin 2025.
Aktiviteti i këtyre kompanive lidhet me prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve.
Emri i Yeffet është rikthyer në vëmendje gjatë javëve të fundit edhe pas publikimit të disa materialeve audio nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Në këto materiale janë ngritur pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe municioneve, ku përmenden Shqipëria, kompani të sektorit të mbrojtjes dhe KAYO.
Në një tjetër material audio të bërë publik, Yeffet është dëgjuar duke folur edhe për mundësinë e hapjes së një fabrike armësh në Afrikë.
Yeffet është përmendur ndërkohë edhe në një çështje gjyqësore në Miami. Sipas materialit të bërë publik, një biznesmen amerikan e ka paditur atë për mospagimin e një detyrimi prej disa milionë dollarësh.


