Në vend që të sigurojnë kujdesin e nevojshëm për pacientët, disa mjekë duket se po përpiqen të reduktojnë numrin e pacientëve të shtruar, pavarësisht gjendjes së tyre shëndetësore.
Këtë të shtunë ashensori në Spitalin e Durrësit nuk funksionon dhe askush nuk u shqetësua për ta rregulluar, ndërsa përpara kemi një fundjavë të gjatë, përfshi edhe të hënën që është pushim!
Si do të veprojnë pacientët që nga urgjenca duhet të shtrohen në pavione? Po ata që nga pavionet duhet të zbresin për të bërë ekzaminime të domosdoshme si skaner, MRI, eko, ndërsa e kanë të pamundur të ecin? A duhet të presin sepse “pushimi është pushim”?
Përveç kësaj, sjellja e mjekëve në pavione i bën gjërat edhe më të vështira. Në vend që të sigurojnë trajtim të duhur, të shqetësuar se u ke cenuar fundjavën u diktojnë pacientëve, që u prishin terezinë, se duhet të largohen sa më parë nga spitali me justifikimin se “mund të merrni ndonjë sëmundje tjetër a virozë.”
Shëndetësia nuk mund të funksionojë me shpërfillje dhe neglizhencë.
Kush mban përgjegjësi për këtë situatë? Përgjigjet dhe zgjidhjet duhen tani, jo pas pushimeve! Jo, pas fushatës. As pas zgjedhjeve!
Në këtë spital, heronjtë e vërtetë janë mjekët dhe infermierët e shërbimit të urgjencës, që çdo ditë përballen me çdo rast e çdokënd, pavarësisht kushteve të vështira. Ata janë të vetmit që nuk pyesin për pushime apo orare, duke u përpjekur të shpëtojnë jetë në çdo çast.
©️zërionline


