Nga prokuror i Krimeve të Rënda në ndërtues. Fenomeni i ish-zyrtarëve të drejtësisë që kalojnë në biznes

Date:

Share post:

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit së fundmi, ndër të tjera, miratoi dhe lejen e ndërtimit për rezidencën Sima Tower në rrugën “Bedri Karapici”. Një nga dy kompanitë përfituese të lejes është Alb Vizion Construction, e cila zotërohet nga bashkëshortët Ardita Prendi dhe Bardhok Lleshi. Ky i fundit ka një të kaluar jo të zakonshme për një ndërtues. Ai ka shërbyer si prokuror fillimisht te Krimet e Rënda dhe më pas në Lezhë deri në janar të vitit 2021, kur u shkarkua nga vettingu. Përpjekjet për t’u kthyer në sistem u shuan përfundimisht në shtator të vitit 2023 me vendim përfundimtar nga nga KPA.

Një prokuror në vëzhgim

Procesi i vettingut për 55-vjeçarin Bardhok Lleshi u shoqërua me probleme serioze në deklarimin e pasurisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) evidentoi mospërputhje mes të ardhurave dhe pasurisë së tij, duke vënë në dukje mungesën e burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar asetet e tij. Madje, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e kishte kallëzuar më parë për fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë.
Megjithatë, edhe pse u shkarkua, ai nuk u mor në procedim penal, duke vijuar si shumë të tjerë të kthehej në biznes privat. Sot, ai është bashkëpronar i një kompanie që ka siguruar një leje ndërtimi për një kullë luksoze në kryeqytet, me mbështetjen e qeverisë.
Bardhok Lleshi nuk është rasti i vetëm i një ish-prokurori ose zyrtari të drejtësisë që, pasi është larguar nga sistemi, hyn në industrinë e ndërtimit. Shpesh, ky sektor ka shërbyer si një terren i përshtatshëm për pastrim parash dhe përfitime të shpejta. Ndërtimi i kullave të reja në Tiranë dhe qytete të tjera po dominohet nga individë që dikur kishin pushtet dhe akses në informacione e rrjete të fuqishme ekonomike.

Pse ndodh kjo?

Një nga arsyet kryesore që ish-zyrtarët e drejtësisë kalojnë në biznes ndërtimi është pikërisht natyra e lidhjeve të tyre me segmente të caktuara të pushtetit dhe biznesit. Ata kanë njohuri të thelluara mbi ligjin, mbi rrugët e shmangies së procedurave burokratike, si dhe mbi lidhjet e nevojshme për të siguruar kontrata dhe leje ndërtimi.

A ka ndonjë rrezik për shoqërinë?

Kur individë të larguar nga drejtësia për probleme me integritetin dhe pasurinë marrin kontrollin mbi sektorë kyç si ndërtimi, pasojat mund të jenë të shumta. Kjo sjell deformim të tregut, krijimin e monopoleve, dhe fuqizimin e një oligarkie të re që kontrollon mënyrën se si zhvillohet urbanistika e vendit.

Rasti i Bardhok Lleshit është vetëm maja e ajsbergut, por ai reflekton një fenomen më të gjerë, transformimin e ish-zyrtarëve të drejtësisë në biznesmenë ndërtimi, me të gjitha rreziqet që kjo sjell për transparencën dhe një zhvillim të drejtë ekonomik të vendit.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Vijojnë gërmimet në varrin masiv në Zubin Potok, shkon në tre numri i të arrestuarve

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar një tjetër person të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok, në veri...

Tiranë/ Dyshohet se dhunuan 20-vjeçarin italian, shoqërohen dhe vihen nën hetim 8 të mitur

Policia ka shoqëruar dhe vënë nën hetim 8 të mitur, të moshës 13-15 vjeç, të dyshuar si të...

Në kërkim ndërkombëtar nga Italia për trafik droge, kapet në Durrës 50-vjeçari i dënuar me 6 vite burg

Një 50-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Durrës me qëllim ekstradimin drejt...

Meloni i propozon UE “Kampe riatdhesimi” në vende të treta si në Shqipëri

Shfrytëzimi i krizës së Ceutës për të përfituar në Bruksel. Ky është objektivi i qeverisë italiane, e cila...