Një konflikt i dhunshëm, i ndodhur mesditën e 11 prillit në qytetin e Lezhës, ka rikthyer në vëmendje rrezikun që përfaqëson banalizimi i dhunës, sidomos mes të rinjve, dhe përfshirja e të miturve në përplasje fizike të rënda, që jo rrallë përfundojnë në vrasje, plagosje apo pasoja afatgjata.
Ngjarja, e cila ndodhi në orën 12:02 në një zonë të banuar të qytetit, nisi si një përplasje verbale dhe më pas degjeneroi në dhunë fizike me mjete të forta dhe goditje me automjet. Fillimisht, dy persona, Fation Gjini, 34 vjeç, dhe Ervin Nika, 37 vjeç, goditën me mjete të forta shtetasin Redian Margjonaj, 20 vjeç. Si kundërpërgjigje, ky i fundit së bashku me tre shokët e tij, mes tyre edhe dy të mitur, e goditën me makinë dhe më pas e sulmuan fizikisht Fation Gjini, duke i shkaktuar dëmtime serioze.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Njësinë e Forcës Kombëtare të Sigurisë në Shkodër, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i dy autorëve kryesorë, ndërsa katër persona të tjerë, përfshirë dy të mitur, janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit po përballen me disa akuza, përfshirë “Plagosje të rëndë me dashje”, “Prishje të qetësisë publike”, “Deklaratë të rreme” dhe “Pengim të zbardhjes së së vërtetës”. Materialet janë referuar tashmë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë.
Një pasqyrë shqetësuese e dhunës ndër të rinjtë
Përfshirja e të miturve A. D., 15 vjeç, dhe A. M., 17 vjeç, në një sherr me përmasa të tilla dhune ngre alarmin për përhapjen e kulturës së konfliktit si mjet zgjidhjeje, që po zë rrënjë mes të rinjve shqiptarë. Ekspertët e rendit dhe psikologët paralajmërojnë se mungesa e kontrollit social, edukimit dhe modeleve pozitive po ndihmon në normalizimin e akteve të tilla ekstreme.
Një tjetër element shqetësues është përdorimi i automjetit si armë në konflikt, një formë e agresionit që shton rrezikun për pasoja fatale, jo vetëm për personat e përfshirë, por edhe për kalimtarë të rastit.
Sfidat për drejtësinë dhe shoqërinë
Ky rast nuk është i izoluar. Policia, Prokuroria dhe Gjykata po përballen gjithnjë e më tepër me raste dhe dosje të ndërlikuara, ku të mitur janë përfshirë si autorë apo viktima në vepra të dhunshme. Por përtej trajtimit penal, ngarkesa e madhe e gjykatave dhe mungesa e strukturave parandalese, si qendrat e ndërhyrjes në komunitet, krijojnë një boshllëk që ndihmon në ripërsëritjen e këtyre ngjarjeve.
Në shumë raste, sistemi i drejtësisë ndodhet i detyruar të japë masa të shpejta në kushte të pamjaftueshme hetimi, ndërkohë që viktimat, autorët dhe komuniteti nuk marrin ndihmën psikologjike apo rehabilituese që u nevojitet. Edhe organet e rendit, apo shkollat shpesh nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve që nisin si fërkime të zakonshme mes të rinjve.
Thirrje për ndërhyrje të strukturuar
Specialistët apelojnë për ndërtimin e një zinxhiri institucional funksional që nis nga shkollat, strukturat e bashkive, deri te sistemi i drejtësisë për të parandaluar përhapjen e kulturës së dhunës mes të rinjve. Qendra për ndërhyrje të hershme në shkolla, programe për vetëkontrollin emocional dhe rritjen e ndërgjegjësimit për pasojat ligjore dhe sociale të dhunës, janë masa që nuk mund të shtyhen më.
Ngjarja e Lezhës nuk është vetëm një incident, por një tjetër sinjal i vazhdueshëm si shumë raste të tjera, për një problem të thellë social që po shpërthen mes nesh dhe për të cilin ende mungon një përgjigje e organizuar.
V.Q.


